OpEd

Viti që zgjat gjashtë muaj

Presidenca suedeze e BE-së do të na ofrojë arsye gëzimi dhe zhgënjimi. Përfundimi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave do t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës pas plot njëmbëdhjetë vjetësh, ndërsa dështimi për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë zhgënjim i cili do të jetë i paprecedent në rajonin tonë

Të gjithë kemi plane për vitin 2023. Dikush të mësojë më shumë në shkollë, dikush të punojë më shumë në punë, dikush të fillojë fitnesin, e kështu më radhë. Dhe për të gjitha këto para nesh i kemi dymbëdhjetë muaj të ardhshëm, por për disa viti nuk do të zgjatë dymbëdhjetë muaj, por vetëm gjashtë. Çfarëdo që synojmë të realizojmë në kuadër të procesit tonë integrues duhet të realizojmë në gjashtë muajt e parë të Presidencës suedeze të BE-së, pasi që gjashtë muajt e fundit të Presidencës spanjolle do të jenë të mbyllur për çfarëdo avancimi të agjendës evropiane të Kosovës. Në këtë kontekst synimet e Kosovës për gjashtë muajt e ardhshëm janë fare të thjeshta: përfundimi i procesit vendimmarrës për liberalizimin e vizave dhe nisja e shqyrtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE.

Sa i përket liberalizimit të vizave gjërat duken më optimiste. Pas Presidencës së suksesshme çeke, Presidencës suedeze i ka mbetur të sigurojë përfundimin e procesit vendimmarrës për liberalizimin e vizave. Kjo nënkupton votimin në (1) Komisionin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punët e Brendshme, (2) votimin në seancën plenare të Parlamentit Evropian, dhe (3) votimin në Këshillin e Ministrave të BE-së. E gjithë kjo pritet të përfundojë gjatë Presidencës suedeze, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen nga 1 janari 2024, më së voni.

Gjërat duken më pak optimiste tek shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE. Në fund të vitit të kaluar Qeveria ka dorëzuar kërkesën. Tani çfarë duhet të ndodhë është që Këshilli i BE-së ta pranojë kërkesën dhe ta procedojë atë për shqyrtim te Komisioni Evropian, i cili pastaj do ta vlerësojë gatishmërinë e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Dhe në kuptimin teknik unë besoj se Kosova i përmbush të gjitha kriteret kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pikëpyetja që ngrihet mbi marrjen e statusit të vendit kandidat nuk është teknike, por politike. Pra, në këtë sens konsideroj se do të jetë e pamundur që Kosova ta sigurojë statusin e vendit kandidat pa bërë progres në kuadër të dialogut me Serbinë, të cilin çdo komunikatë nga BE-ja e identifikon si kyç për avancimin e perspektives evropiane të të dy vendeve.

Por rruga integruese e Kosovës nuk do të jetë prioritet i vetëm i Presidencës suedeze.

Në fakt, nëse flasim për pikturën e madhe vëmendja e Presidencës nuk do të jetë fare në Ballkanin Perëndimor. Programi i Presidencës suedeze ka identifikuar katër prioritetet kryesore: (1) sigurinë, (2) konkurrueshmerinë, (3) prosperitetin dhe (4) ruajtjen e vlerave demokratike dhe sundimin e ligjit. Sa për krahasim, fjalët që përsëriten më së shumti brenda programit të Presidencës janë: siguria (38 herë), Ukraina (35 herë), Rusia (29 herë), energjia (29 herë), agjenda digjitale (29 herë) dhe agjenda e gjelbër (28 herë). Asnjë vend i Ballkanit nuk përmendet specifikisht, ndërsa i tërë rajoni përmendet vetëm dy herë. Ky këndvështrim ofron kompleksitetin e panoramës së prioriteteve brenda BE-së gjatë Presidencës suedeze.

Dhe e gjithë kjo është e kuptueshme. Agresioni rus i Ukrainës është kërcënimi më i madh me të cilin është ballafaquar kontinenti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenca suedeze do të ketë rol kyç në ruajtjen e unitetit të bllokut evropian karshi mbështetjes së Ukrainës dhe sanksioneve ndaj Rusisë. Përderisa Rusia është kërcënim nga jashtë, furnizimi i qëndrueshëm me energji, ngritja e çmimeve dhe transicioni digjital dhe mjedisor janë kërcënim nga brenda. Për t’i adresuar të gjitha këto, Presidenca suedeze planifikon të organizojë brenda gjashtë muajve mbi 2150 takime mbi çdo temë nga mbrojtja e Ukrainës dhe Tajvanit, e deri te politikat e energjisë dhe sigurisë së ushqimit. Për të kuptuar shkallën kolosale të gjithë këtij angazhimi kjo i bie se Presidenca do të organizojë 16 takime në ditë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Sidoqoftë, duke iu kthyer agjendës integruese të vendit tonë, mendoj se Presidenca suedeze e BE-së do të na ofrojë arsye gëzimi dhe zhgënjimi. Përfundimi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave do t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës pas plot njëmbëdhjete vjetësh, ndërsa dështimi për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë zhgënjim i cili do të jetë i paprecedent në rajonin tonë.