Prokuroria Themelore në Prizren të martën ka njoftuar se 19 kryekomisionerë janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për dallavere me vota në Suharekë.
Sipas njoftimit, 72 të dyshuar u intervistuan.
“19 prej tyre pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore ka thënë se brenda afateve ligjore do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin”, vijon njoftimi.
Në Suharekë nuk ka pasur dallime të theksuara të votave të kandidatëve për deputetë pas rinumërimit.
Më së shumti dallime patën kandidatët e PDK-së, Arben Gegës të cilit iu hoqën 227 vota, Fetah Paçarizit 131 e Enver Hoxhajt 121.
Te Lëvizja Vetëvendosje, Hamdi Bytyçit iu hoqën 181 vota.
E tek AAK-ja, Albana Bytyqit iu hoqën 127 vota.
Për manipulimet me vota ka pasur aksione e të arrestuar edhe në komuna të tjera.