Tubim elektoral në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, AAK-ja ka mbajtur të premten në qytetin e Ferizajt. Aty, kryetari dhe kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka premtuar veprime të guximshme dhe qeverisje që i shërben qytetarit. E kandidati për deputet i AAK-së, Arbër Tolaj, është zotuar për paga dhe kushte më të mira të punës për mjekë e infermierë
Vendime të guximshme dhe qeverisje që i shërben qytetarit ka premtuar në Ferizaj kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Pas tubimit elektoral të mbajtur të premten në kuadër të ditës së tretë të fushatës, Haradinaj e ka quajtur Ferizajn motor të rëndësishëm të Kosovës moderne.
“Sot u pritëm nga shumë qytetarë që besojnë në këtë frymë dhe që shprehën gatishmërinë t’i qëndrojnë krah Aleancës, duke kontribuar aktivisht në ndërtimin e një shteti më të drejtë, më të fortë dhe më të zhvilluar. Kjo mbështetje tregon se Ferizaj kërkon politika të punës, vendime të guximshme dhe një qeverisje që i shërben qytetarit. Aleanca është krah Ferizajt, sepse Ferizaj është krah vizionit të ri për Kosovën!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ahmet Isufi, i cili është kandidat i AAK-së për deputet, ka bërë thirrje që të besohet në njerëzit që lënë gjurmë.
“Fjalët i merr era ndërsa veprat mbesin si dëshmi që ju i shihni e i prekni. Liria, pavarësia, ushtria dhe veprat infrastrukturore e ndërtimi i shtetit kanë ndodhur nga njerëz që e duan dhe punojnë për vendin”, ka shkruar Isufi në Facebook teksa ka numëruar edhe premtime për qeverisjen e AAK-së në katër vjetët e ardhshëm.
E kandidati tjetër i AAK-së për deputet, Arbër Tolaj, ka shpalosur programin e partisë për fushën e shëndetësisë. Ai, gjatë një debati në KTV, është zotuar për paga dhe kushte më të mira të punës për mjekë e infermierë.
“Është koha që mantelbardhi të vlerësohet në mënyrë institucionale, pra të vlerësohet nga shteti. Si bëhet kjo, duke i respektuar, duke pasur paga dhe kushte të dinjitetshme dhe më të mira për punë, që rrjedhimisht do të ketë menjëherë edhe rritje të pagave. E kemi kategorinë e infermierëve, të cilët nuk kanë përfituar nga një rritje që ka qenë e mëhershme, do të thotë ai është prioriteti i parë te mantelbardhët”, është zotuar ai.
Tolaj ka premtuar edhe jetësimin e sigurimeve shëndetësore, plani për implementimin e të cilave ai ka thënë se do të jetë i gatshëm për një afat kohor prej dy deri në katër vjet.
Në planet e AAK-së, Tolaj ka thënë se është edhe shqyrtimi i mundësisë së bashkëpunimit publiko-privat, me anë të të cilit ai është zotuar se do të sigurohen pako bazike për shërbimet që nuk do të mund të ofrohen në spitale publike.