Kryetari i partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të mbajtura të dielën.
Vetëvendosje ka triumfuar me 49.3 për qind të votave, pa u numëruar këtu votat me kusht dhe votat e diasporës.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror.
“I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës. Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj”, ka shkruar Ahmeti.
Ai tha se dëshiron që Kosova të ecë përpara dhe t’i forcojë aleancat me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
“Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë. Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar, ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët!” – ka shkruar Ahmeti.
Kurti është uruar po ashtu edhe nga koalicioni shqiptar VLEN në Maqedoni të Veriut.
“VLEN uron nga zemra Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryeministrin Albin Kurti për fitoren plebishitare në zgjedhjet në Kosovë, një fitore që nuk është thjesht numerike, por morale, historike dhe kombëtare. Shqiptarët e Kosovës dëshmuan se NUK LËSHUAN PE për drejtësi, NUK LËSHUAN PE për sovranitet dhe NUK LËSHUAN PE për begati. Ata zgjodhën dinjitetin mbi pazaret, shtetin mbi kompromiset e dëmshme dhe të ardhmen mbi të kaluarën. Kjo fitore u shtri cep më cep të Kosovës, si një dëshmi e qartë se populli e ka bërë zgjedhjen e tij pa mëdyshje: një shtet të drejtë, një qeverisje të ndershme dhe një vizion që nuk nënshtrohet. Data 28 dhjetor 2025, bashkë me 14 shkurtin 2021, do të mbahen mend si dy nga datat më të rëndësishme të garave zgjedhore në historinë e politikëbërjes së Kosovës, momente kur qytetari u ngrit mbi presionet, mbi propagandën dhe mbi frikën, duke e vulosur kursin e pakthyeshëm të shtetit. VLEN e sheh këtë fitore si fitore të vlerave që na bashkojnë si shqiptarë kudo që jemi: drejtësi, sovranitet, zhvillim dhe dinjitet kombëtar. Është një mesazh i fortë për gjithë rajonin se kur populli nuk lëshon pe, historia ndryshon. Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Urime shqiptarëve cep më cep!” – thuhet në urimin e VLEN-it.