Zgjedhjet 2025

Certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, hapet rruga për formimin e institucioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Vendimi i KQZ-së, u mor pas refuzimit të të gjitha ankesave nga Gjykata Supreme.

Në mbledhjen e mbajtur pasditen e së hënës, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimet e Supremes nuk kanë bërë ndonjë ndryshim në rezultat.

“Do ta hedh në votim certifikimin e këtij rezultati. Me 11 vota për certifikohet rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha Radoniqi.

Edhe pse votuan për certifikimin e rezultateve, përfshirë edhe atë të Listës Serbe, anëtarët e KQZ-së, shprehën rezerva e kërkuan veprime nga institucionet e drejtësisë.

“Me gjitha rezervat të cilat i kemi pas për LS i kemi dhe do t’i kemi”, tha anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.

“Jo vetëm ndaj Listës Serbe....kërkojmë prej organeve të drejtësisë që të veprojnë në këtë aspekt me të gjitha veprimet që i kanë dhe t`i ndjekin secilin veç e veç e këto raste të mos vijnë të servohen në tavolinat e mbledhjeve të KQZ-së”, tha anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani. 
Sipas rezultateve tashmë të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa komunitete jo shumicë  i kanë të garantuara 20 ulëset e tjera.

Mbledhja e KQZ-së u mbajt rreth tri orë pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesat ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Supremja në shqyrtim kishte gjashtë ankesa. Në mesin e tyre edhe dy të kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ankesa e Haxhiut, për rreth 20 mijë pako të ardhura nga jashtë pas afatit të përcaktuar, u refuzua me arsyetimin se për pranimin e votave ka vendosur KQZ-ja, ndaj së cilës nuk ka pasur ankesa.

“...shto faktin se votat janë të rregullta dhe se procesi i votimit ka rrjedhur në mënyrë korrekte, pretendimet për anulimin e tyre për shkak të tejkalimit të afatit sipas nenit 96 nuk qëndrojnë. Një qasje e tillë do të ishte në kundërshtim me parimet e sigurisë juridike, të mbrojtjes së vullnetit të votuesve dhe të funksionimit normal të rendit zgjedhor demokratik”, thuhet në vendimin e Supremes.

Supremja ka refuzuar edhe ankesën tjetër të Haxhiut për mos-hyrje në Kuvend, shkaku i kuotës gjinore.

“Respektimi i kuotës gjinore prej 30% përbën zbatim të ligjit dhe të parimit të barazisë substanciale, dhe nuk mund të konsiderohet diskriminim ndaj kandidatit të fundit që zëvendësohet në përputhje me kërkesat ligjore. Prandaj, pretendimi i kandidatit në ankesë se mandati i deputetit i takon atij nuk qëndron ligjërisht, pasi një veprim i tillë do të shkelte dispozitat mbi kuotën gjinore dhe do të cenonte 7 përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin.

Gjykata Supreme ka refuzuar edhe dy ankesa të Partisë së Re Demokratike, të drejtuar nga Emilja Rexhepi.

Sipas Supremes, fletëvotimet nuk mund të shpallen të pavlefshme bazuar në supozimet se një parti politike ose kandidat nga minoritetet kanë marrë mbështetje nga votuesit që nuk i përkasin atij komuniteti.

“Përfaqësimi efektiv i minoriteteve nuk arrihet duke përjashtuar vota të ligjshme, por duke garantuar një proces gjithëpërfshirës, të drejtë dhe jo-diskriminues, ku çdo votë e vlefshme ka peshë të barabartë. Në këtë kuptim, vetëm shkeljet e provuara qartë dhe që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor mund të justifikojnë ndërhyrje në rezultatin e votimit, ndërsa thjesht fakti se votuesit i përkasin ose jo një minoriteti të caktuar nuk përbën, në vetvete, bazë ligjore për anulimin e votave.”

Supremja ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e koalicionit PAI- PDAK-LPB, dhe atë të Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit hap rrugën e konstituimit të Kuvendit, e të formimit të Qeverisë së re.

 

 

Rezultatet e certifikuara