Zgjedhjet 2025

Çka u premtua për shëndetësinë? | Zgjedhjet në KOHË

Ramaj e Vitija e konsiderojnë joserioz premtimin për QKUK të re

56 min. më parë / 19 dhj 2025 22:45
LDK Lidhja demokratike e Kosoves

Gazetarët e shëndetësisë, Saranda Ramaj dhe Bujar Vitia, e kanë cilësuar joserioz premtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërtimin një Qendre të re Klinike Universitare të Kosovës.

Ramaj ka thënë se arsyetimi i LDK-së se bëhet fjalë për objekt të vjetër nuk është i qëndrushëm. “Spitalet nuk mbarohen çdo 20-30 vjet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe premtimi se një objekt i ri do të kushtonte 500 milionë euro nuk është serioz bazuar se “çka do të ndodhte me klinikat që morën miliona për rinovime”.

“Edhe ekspertët e LDK-së e dinë se kjo është e pabëshme”, ka shtuar RAmaj.  

Ndërkaq Vitija ka thënë se një QKUK e re nuk do të përmirësonte performancën. Ai ka thënë se me rrënimin e QKUK-së aktuale “fshihet diçka”.

Vitija numëron arsyet pse ka lista të pritjes për shërbime mjekësore

1 o. më parë / 19 dhj 2025 22:22
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija

Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka thënë se mungesa e specialistëve është arsyeja kryesore e listës së pritjes për shërbime mjekësore në reparte të ndryshme në Kosovë.

Një ndër arsyet, sipas tij, është numri i anesteziologëve. Vitija ka thënë se numri i tyre tash do të rritet pasi në mandatin e Armend Zemajt si ministër ishte shpallur konkursi për specializime.

Sipas tij, ka edhe probleme të tjera dhe ato janë edhe arsyetimet se shërbimet edhe pse të promovuara “nuk janë përfshirë si shërbime në listën e Ministrisë” apo për shkak të vonesave të futjes në udhëzimin administrativ për bashkëpagesa.

Edhe për listat e pritjes për shërbime nëpër spitale, sipas Vitijës ka probleme të ndryshme.

“Investohet në aparatura, por nuk ka specialistë që mund t’i aplikojnë ato procedura të reja përmes asaj aparature të re”, ka thënë ai.

Mehmeti për furnizimin me barna: Ka mungesa të përditshme

1 o. më parë / 19 dhj 2025 22:02
Vlerë Mehmeti,

Vlerë Mehmeti, gazetarja e KOHËS në sektorin e shëndetësisë, ka thënë se qytetarët përballen vazhdimisht me mungesa të barnave.

Bazuar në raportimet e përditshme, ajo ka thënë se edhe pse ministri i deritashëm Arben Vitia ka thënë se do të harrohet çështja e mungesës së barnave “kjo nuk kka ndodhur në realitet”.

Sipas saj, ka pasur mungesa nga barnat më esenciale e deri edhe te ato për pacientët me kancer.

“Ishte shumë e dhimbshme të raportosh për pacientët që s’kanë pasur barna... Duke i pa këto parregullsi, mungesa, lista të gjata të pritjes... tek pacientët nuk mund të themi se ka pasur qeverisje të mirë të shëndetësisë”, ka thënë ajo për mandatin e Vetëvendosjes.

Ramaj: Çështja e sigurimeve shëndetësore, propagandë e VV-së

1 o. më parë / 19 dhj 2025 21:55
Saranda RAmaj

Gazetarja që merret me çështjet e shëndetësisë, Saranda Ramaj, e ka cilësuar propagandë të Vetëvendosjes mënyrën se si ishte tentuar të paraqitet amendamentimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore.

Sipas saj, LVV-ja me në krye Albin Kurtin dhe ministrin Arben Vitia janë munduar ta paraqesin si ligj të ri, edhe pse kjo nuk ka ndodhur. Ajo ka thënë se VV-ja ka menaxhuar me këtë sektor nën pritjet që kanë qenë prej saj.

“Fakti që kanë pasur 50 për qind të votave nënkupton pushtet absolut për të bërë dhe për ët shtyrë çdo gjë që planifikon. Nëse nisemi nga ky parim, mendoj se është jashtëzakonisht nën pritjet që secili njeri, qoftë edhe kundërshtari më i ashpër i VV-së. Mendoj se pritjet kanë qenë më të mëdha”, ka thënë ajo në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ramaj ka thënë se VV-ja nuk mund të arsyetohet se zbatimi i këtij ligji është bllokuar nga opozita, që amendamentimin e ligjit e ka çuar në Kushtetuese si pjesë të të gjitha vendimeve të marra në një seancë të Kuvendit, të cilin e ka kontestuar si të plotë.

“VV-ja duhet ta ketë parasysh dhe ta lexojë publiku drejt këtë çështje... Ligji për sigurime shëndetësore është prej vitit 2014. Nuk ka bërë VV-ja ligj të ri. Ka amendamentuar. E ka ndryshuar ligjin në fuqi. Dhe me ligjin në fuqi nuk ka qenë asnjëherë moszbatimi fakti që ka ndonjë zbrazëti në ligj. Moszbatimi ka ndodhur sepse kjo ministri kur qeverisej edhe në të kaluarën s’ka krijuar parakushtet për funksionim. Ndër to është sistemi i informimit shëndetësor. Në situatë hipotetike hajde të themi në shkurt e zhbllokon ligjin. Çka ndodh? A fillojnë në mars sigurimet. E premtojnë por s’do të ndodhë as në mars as në dhjetor të 2026-s. Sepse pa krijimin e parakushteve s’do të ndodhë. Ajo që po bën VV-ja është se po e shfrytëzon faktin se një seancë që ishte shumë e kontestuar nga opozita dhe i ka çuar krejt pikat që janë miratuar në atë seancë, i kanë kontestuar sepse ka konsideruar se nuk janë plotësuar kushtet e parapara për të mbajtur atë seancë dhe të gjitha janë në gjykatë. Por parakushtet a i ka krijuar parakushtet kjo ministri? Absolutisht që jo. A ka listë të shërbimeve si parakusht? A kemi lidhjen mes Regjistrit Civil me MSH-në?” ka thënë Ramaj. “Ideja është që kjo qeveri, iu ka përshtatur fakti që ky ligj ka përfunduar në Kushtetuese sepse në fushatë mund ta përdorin si arsyetim se është bllokuar. Në aspektin real edhe kur është amendamentuar ligji, qysh nga kryeministri Kurti, ministri Vitia e vartësit tjerë e kanë prezantuar si ligj të ri dhe po fillojnë sigurimet. Mendoj se ka qenë propagandë dhe s’ka pasur të bëjë me realitetin”.

Ramaj e ka vlerësuar përparësi në këtë mandat ngritjen e buxhetit për shëndetësi.

Çështjen e investimeve kapitale ajo e ka cilësuar “pikë të zezë” të mandatit.