Ndarja e kuponëve për edukimin e hershëm është risia që Lëvizja Vetëvendosje e ka paraparë në planin për arsimin me të cilin po garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Një gjë të tillë e ka thënë kandidatja për deputete nga radhët e kësaj partie, Arjeta Fejza, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, në të cilin u diskutua për arsimin. Fejza ka thënë se përmes ndarjes së këtyre kuponëve, familjeve me asistencë sociale do t’u mundësohet që fëmijët t’i dërgojnë në çerdhe.
“Një risi do të jenë kuponët me të cilët do të mbështeten familjet në nevojë, ku familjet që do të kenë fëmijë që do të përfshihen në edukimin e hershëm do t’u mbulohen shpenzimet me anë të kuponëve nga ana e Ministrisë së Arsimit”, ka thënë ajo.
Kandidatja e LVV-së tutje ka shtuar se këta kuponë do të mund të shfrytëzohen edhe për çerdhe private.
E përveç planeve për zhvillimin në edukimin e hershëm, Fejza ka thënë se partia e saj ka parasysh edhe zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit parauniversitar, ku kanë paraparë ndërtimin e 5 gjimnazeve të specializuara.
“Ne parashohim që në qeverisjen e ardhshme të themelojmë 5 gjimnaze të specializuara të cilat do të jenë regjionale dhe mendojmë që përmes këtyre gjimnazeve të investohet në nxënës të cilët do të jenë jashtëzakonisht të përgatitur për universitet... Drejtimet e këtyre gjimnazeve do të jenë varësisht prej nevojave në terren”, ka bërë të ditur Fejza.
Fejza ka shtuar se nëse partia e saj rikthehet në pushtet, ajo do të vazhdojë mbështetjen për studentët dhe mësimdhënësit.