Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, u është rikthyer premtimeve për ndërtimin e centralit me gaz për prodhim të energjisë elektrike.
Në tubimin e mbajtur në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, me mbështetës të kësaj partie në Klinë, ai ka thënë se prodhimi i energjisë është njëra nga dy punët e mëdha që do t’i kryejë nëse vjen në krye të Qeverisë.
Haradinaj ka thënë se do t’i kthehet edhe prodhimit të energjisë nga thëngjilli, duke përmendur projektin për ndërtimin e termocentralit të ri, që ishte pjesë e Qeverisë së tij në të kaluarën. Para mbështetësve të tij, Haradinaj u zotua edhe për anëtarësim në NATO.
Nuk ka lënë anash as premtimet sociale, duke përsëritur ato për rritje të pagave, pensioneve e shtesave për fëmijë. Tha se nuk do të ketë pagë nën 1 mijë e 100 euro.