Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e tetë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore

Agjenda e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza:

17:30 – Istog, Shtëpia e Kulturës “Adem Jashari”

19:00 – Skenderaj, Palestra e sporteve “Ilaz Kodra”

Agjenda e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj:

18:00-Tubim elektoral në Klinë, në Shtëpinë e Kulturës “Jehona Dukagjnit”

Abdixhiku “i qet paret”, i premton 1.5 miliardë euro për kryeqytetin

46 min. më parë / 24 dhj 2025 15:38
Lumir Abdixhiku

Në një mesazh politik të shpërndarë nga Bregu i Diellit, të shoqëruar me një video të publikuar në Facebook nga kryetari i LDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksohet se Prishtina meriton një Qeveri që e ndihmon dhe e zhvillon, e jo një që e bllokon. 

Në përshkrimin e videos përmendet edhe shifra prej 1.5 miliardë eurosh si investim i nevojshëm për kryeqytetin.

“Nga Bregu i Diellit: Prishtina e meriton një Qeveri që nuk e bllokon, nuk e saboton, por e ndihmon. E zhvillon. ‘Qiti paret’; plot 1.5 miliardë euro për Kryeqytetin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në tubimin partiak në Prishtinë, kryetari i komunës, Përparim Rama, ka thënë se me Lumir Abdixhikun kryeministër, sipas tij, nuk do të kishte nevojë për thirrje publike për lirimin e mjeteve financiare.

“Me Lumirin kryeministër nuk kemi nevojë të themi ‘qiti paret’. I qet paret me kënaqësi sepse e do Prishtinën, e do Kosovën”, është shprehur Rama.  

 

Me këtë deklaratë ai rikujtoi akuzat e tij të mëhershme ndaj Ministrisë së Financave, për të cilën thoshte se ka mbajtur jashtëligjshëm 35 milionë euro, mjete të cilat i kërkonte duke thënë “qiti paret ministër”.

Zëdhënësi i AAK-së për reduktimet e energjisë: Mos lësho pe Albin, përfitoni nga vjedhja e rrymës

1 o. më parë / 24 dhj 2025 15:07
Kushtrim Xhemaili

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, njëherësh kandidat për deputet nga kjo parti, ka reaguar ndaj reduktimeve të energjisë elektrike, duke akuzuar qeverinë në detyrë për keqmenaxhim dhe papërgjegjësi.

Përmes një postimi në Facebook, Xhemaili ka thënë se partia deri tash në pushtet po përfiton nga blerja dhe vjedhja e rrymës.

“Mos lësho pe, Albin – ju në dritë, na në errësirë. Reduktimet po i çmendin qytetarët. Familjet dhe bizneset po detyrohen të blejnë gjeneratorë, ndërsa jetojmë në vitin 2025”, ka deklaruar Xhemaili.

Ai ka shtuar se, në vend të zgjidhjes së problemit, qytetarët po paralajmërohen për rritje të çmimeve të rrymës, duke e quajtur situatën “të mjerueshme”.

Bedri Hamza në Malishevë: Do ta themelojmë Fondin e Papunësisë dhe Gjykatën e Punës

3 o. më parë / 24 dhj 2025 12:42
Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka qëndruar mbrëmë në Malishevë, ku ka thënë se programi i tij ofron zgjidhje reale, të llogaritura dhe të financuara qartë.
Hamza tha se programi i tij bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi dhe mbrojtje e politikë e jashtme.

Hamza ka thënë së punëtori do të jetë në qendër të politikave të qeverisë së udhëhequr nga ai, prandaj do ta themelojnë Fondin e Papunësisë dhe Gjykatën e Punës.

“Vota për PDK-në shkon në numrin 130. Kjo është adresa, nuk ka adresë tjetër. Prandaj, fitorja e PDK-së, ju gëzon juve, më gëzon mua, por të jeni të bindur që i gëzon dhe i bën krenarë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”, ka shtuar ai.

 

LDK-ja prezanton premtimet për prindërit

4 o. më parë / 24 dhj 2025 12:13
lumir abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës me një video në Facebook ka renditur premtimet për prindërit. “Kjo është kontrata juaj me shteti”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si përshkrim të videos me premtime, në rast se kjo parti bën qeverinë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Premtimi i parë në këtë aspekt është ndarja prej 2400 eurosh për fëmijën në vitin e parë. Premtim i dytë është vazhdimi i shtesave deri në pesë vjet dhe për 80 çerdhe të reja.

Për fëmijët nga 6 deri në 11 vjet, LDK-ja ka premtuar mësim tërëditor dhe shujta të ngrohta për secilin fëmijë.

Adoleshenca deri në 16 vjet, sipas LDK-së, do të përfshijë kodimin në shkolla.

Për të rinjtë nga 16 deri 21 vjeç, LDK-ja ka premtuar trajnimin e 40 mijë të rinjve për teknologji informative.

Në fund është punësimi. “Pas diplomimit askush s’duhet të presë”, thuhet në videon e LDK-së që ka premtuar punësimin e garantuar me pagë prej 500 eurosh për 6-12 muajt e parë të punës.

“Një shtet që investon herët te qytetari, nuk paguan më vonë çmimin e papunësisë dhe emigrimit”, ka thënë Abdixhiku në këtë video.