Zgjedhjet 2025

Havolli: LDK-ja premton reduktim të TVSH-së në produktet bazë

havolli

Lidhja Demokratike e Kosovës premton reduktimin e TVSH-së për produktet bazë, si një masë në luftën ndaj inflacionit. 

Kandidati i LDK-së për deputet, Sokol Havolli, ka thënë se një vendim i tillë është dashur të merret edhe nga Qeveria Kurti, e cila sipas tij e ka trajtuar inflacionin në mënyrën më të gabuar të mundshme. 

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Havolli ka thënë se LDK-ja e sheh si zgjidhje të mirë reduktimin e TVSH-së. 

“E para e punës duhet të ndërhyhet përmes TVSH-së në produktet bazike, sepse duke e reduktuar TVSH-në në produkte bazike ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë...”, ka thënë Havolli. 

Sipas tij, pakësimi i fondeve që do të mblidheshin nga kjo TVSH nuk do të paraqesin ndonjë problem ekonomik. 

E derisa ka folur për programin e partisë së tij në çështjet sociale, Havolli ka përmendur krijimin e Ministrisë së Familjes që sipas tij do të merrej me të gjitha nevojat e natyrës sociale, ekonomike, zhvillimore, arsimore e të tjera që lidhen me çështjen e familjes.

Kandidati i LDK-së po ashtu ka përmendur edhe shtesat për fëmijët dhe lehonat.

“Në këtë drejtim janë të parapara skemat për të porsalindurit, 5000 euro për fëmijën e tretë, për fëmijët e porsalindur të vendoset shifra prej 200 eurosh për çdo muaj prej 0 deri në 1 vjeç, ndërsa prej 1 deri në 5 shtesat prej 50 eurove, sipas tij shtesa janë paraparë edhe për të gjitha kategoritë e tjera. Duke përfshirë moshën 21+ të cilit do t’i sigurohet punësimi prej 6 deri në 12 muaj me një rrogë prej 500 euro”, ka theksuar ai. 

Gjatë debatit është diskutuar edhe për pensionet e veteranëve dhe pensionet e pleqërisë.

Lexo përditësimet tjera
k

Zgjedhjet në Kohë: Inflacioni dhe programet për çështjet sociale