Zgjedhjet 2025

Iu hoqën rreth 3500 vota të rrejshme, Hasani: S’kam nevojë për vota të vjedhura

Nait Hasani

Deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka reaguar lidhur me manipulimin me vota, i cili doli në pah pas rinumërimit të disa qendrave të votimit.

Në një postim në Facebook ka shkruar se në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit është cenuar rëndë vullneti i lirë i qytetarëve, duke shtuar se është cenuar drejtpërdrejt dinjiteti i tij politik dhe kombëtar.

“Me atë që pash në rinumrim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik. Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, ka shkruar ai në Facebook.

Ka shkruar se drejtësia nuk duhet të heshtë, e as unë nuk do të hesht.

“Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.

Nga rinumërimi i deritashëm, Hasanit i janë hequr 3.415 vota të përshkruara rrejshëm.