Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Besa Kabashi, ka përmendur disa nga dështimet që, sipas saj, i ka pasur Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj.
Ajo ka kritikuar gjithashtu edhe planprogramin e kësaj qeverie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se planifikimi ushtarak dhe i mbrojtjes nuk bëhet me hamendje apo dëshira, por në bazë të nevojave reale.
Kabashi këto deklarata i ka bërë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ku ka folur edhe për planprogramin e Partisë Demokratike të Kosovës për sigurinë e vendit.
Ajo ka premtuar se në planprogramin e PDK-së parashihet që Kosova të kthehet në trajektoren e zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes, e cila, sipas saj, ka qenë më herët.
Kabashi ka theksuar se një nga synimet kryesore të PDK-së është edhe rruga drejt NATO-s.
“Do të sigurohemi që Kosovën ta kthejmë në atë trajektore që ka qenë, të zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes, ashtu siç është paraparë me aleatët tanë të SHBA-së, kur e kemi bërë planin gjithëpërfshirës... Regjimentet që Qeveria Kurti nuk i ka ndërtuar – regjimentin e helikopterëve nuk e ka ndërtuar, gardën kombëtare nuk e ka ndërtuar, nuk është e pajisur as me njerëz as me pajisje – pra, regjimentet nuk janë ndërtuar. Prandaj ne do ta vazhdojmë këtë proces, sepse sektori i mbrojtjes duhet të ketë trajektore stabile, jo të politizuar. PDK parasheh ndërtimin e pesë regjimenteve, domethënë të gardës kombëtare, në rajonet më të mëdha, sepse kjo ia mundëson Kosovës të ecën drejt trajektores së NATO-s dhe anëtarësimit në NATO, që e kemi synim dhe do ta arrijmë. Ky është synimi ynë,” ka thënë Kabashi.
Ajo ka përmendur gjithashtu edhe ndërtimin e kapaciteteve digjitale për përditësimin e informatave në kohë reale.
“Përderisa rishikimi i sektorit të sigurisë, për arsye procedurale, buxhetore dhe planifikuese, duhet të ndodhë çdo katër vjet, ne e dimë që sot jemi në kohën e inteligjencës artificiale dhe informatat duhet t’i kemi në dispozicion në kohë reale, për t’ia mundësuar Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë informata dhe të rialokojë buxhetin dhe kapacitetin njerëzor e teknik aty ku duhet, sipas nevojave. Për policinë do të sigurohemi që, në bazë të këtij vlerësimi, t’i përditësojmë edhe pjesët programore që kanë të bëjnë me trajtimin e duhur të trajnimeve. Ne e dimë që ka pasur ndryshime edhe në mënyrën e trajnimit dhe është shumë e rëndësishme që, për sigurinë personale të policëve dhe qytetarëve, të fokusohemi në trajnime. Ajo që është e rëndësishme për policët dhe të gjithë shërbyesit në sektorin e mbrojtjes është sigurimi shëndetësor dhe sigurimi jetësor. Ne patëm një rast ku një polic i yni, që ka shërbyer në rajonin e Pejës, e humbi këmbën në detyrë”, ka thënë ajo.
Kabashi ka folur edhe për gjendjen në veri të vendit, duke theksuar se, sipas saj, Lista Serbe ka marrë nën kontroll të gjitha institucionet dhe se nuk ka institucione të integruara fare.
Sipas Kabashit, veriu i Kosovës është politizuar për poenë politikë, pasi qytetarët e Republikës së Kosovës ende e mbajnë mend luftën dhe janë të ndjeshëm ndaj asaj që ka ndodhur në vitin 1999.