Abazi i AAK-së: Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka folur për prezencën e Listës Serbe në territorin e Kosovës.
Ai, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për praninë e Listës Serbe në Kosovë.
“Ajo që ka ndodhur në pesë vitet e fundit ka qenë e kundërta e asaj që është vendosur në Ligjin Amerikan për Aktin e Mbrojtjes, sepse është rikonfirmuar mbrojtja territoriale, sovraniteti i Republikës së Kosovës, përjashtimi i ndarjes dhe përjashtimi i ndikimit në rendin kushtetues. Këto janë rikonfirmuar. Në anën tjetër, veriu është kthyer në dorën e Listës Serbe, me fotografitë e Vuçiqit dhe me flamujt serbë atje, ndërsa ne kemi mbetur në raporte të ngrira me shtetet bashkëpunuese, Amerikën dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Abazi.
Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së Kurtit, sipas tij, kryeministri ka rënë në kurthin e Serbisë, duke prishur marrëdhëniet me SHBA-në.
“Do të thotë, kjo tregon që Kurti ka rënë plotësisht në kurthin e Serbisë, që Kosova t’i prishë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të stagnojë procesin integrues, të acarojë marrëdhëniet edhe me Shqipërinë, sepse kjo është shumë e rëndësishme, dhe të ngrihet populizmi në nivelin më të lartë të mundshëm, ku përplasja edhe me SHBA-në edhe me BE-në, për shkak se dialogu është bërë thembra e Akilit, ka përfunduar në marrëveshjen e Brukselit dhe në marrëveshjen e Ohrit. Këto fjalët e kota duhet të hiqen nga synimet reale. Borrelli doli në konferencë për shtyp dhe tha se kemi marrëveshje dypalëshe; në mënyrë të pavarur janë zotuar për zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në aneksin në Ohër. Këto janë fakte që shtetet serioze jo vetëm që i marrin seriozisht, por edhe i dinë, se trajektoret për synime të mëdha, qoftë në NATO apo BE, janë trajektore nga të cilat nuk mund të iket”, ka thënë ai.
Abazi është shprehur se pesë vjet kanë kaluar duke u tentuar t’i thuhet popullit se Serbia nuk po e nënshkruan marrëveshjen dhe, ku sipas tij e vërteta është që ajo nuk po zbatohet.
Kryeziu e LVV-së: Kosova është gjithmonë e gatshme të ecën përpara në dialogun me Serbinë
Gatishmëri për të vazhduar dialogun Kosovë-Serbi dhe për të arritur njohje reciproke ka shprehur kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ajo ka thënë se mungesa e lëvizjes në këtë proces ka ardhur nga ana e Serbisë.
“Dialogu Kosovë-Serbi, për të ecur përpara, kërkon veprim dhe gatishmëri prej të dyja shteteve. Ju e dini që arsyeja pse ka ngecur dialogu Kosovë-Serbi është për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë që t’i përmbahet një marrëveshjeje që në fakt është arritur mes dy palëve në Ohër, si dhe mosgatishmërisë së tyre për të ecur përpara me pikat që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Republika e Kosovës ka qenë gjithmonë e gatshme të ecë përpara në procesin e dialogut, duke i paraqitur prioritetet dhe parimet që i ka pasur që nga fazat e hershme të procesit, dhe ne kemi qëndruar nga fillimi e deri më tani duke thënë se jemi për një dialog që përfundon me njohje reciproke dhe se çështja e shkëmbimeve territoriale fare nuk është në diskutim”, ka thënë Kryeziu.
Ajo ka përmendur edhe sukseset që, sipas saj, Qeveria Kurti i ka arritur gjatë këtyre viteve, duke theksuar se me të njëjtin intensitet do të punohet edhe në mandatin e ardhshëm.
“Do të jetë prapë prioritet për Qeverinë Kurti 3 që të punohet edhe më tej për fuqizimin e pasaportës së Republikës së Kosovës. Ju e dini që jemi në vendin e 65 dhe kjo ka ndodhur për shkak se Kosova ka përfunduar me sukses procesin e liberalizimit të vizave, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje më të lirë dhe qasje më të lehtë në botë në aspektin global, përfshirë këtu edhe marrëveshjet bilaterale që kemi pasur me shtete jashtë zonës Schengen për liberalizim të vizave. Ndërkohë, marrja e statusit kandidat vazhdon të jetë prioritet i yni dhe do të punojmë fuqishëm që një gjë e tillë të arrihet gjatë mandatit tonë të radhës. Po ashtu, do të angazhohemi të punojmë fuqishëm, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre viteve, me shtetet mosnjohëse, pasi e dimë që ato përbëjnë pengesë brenda Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.
Kryeziu ka shtuar se, përveç këtyre prioriteteve, në planin e tyre është edhe forcimi i shërbimit diplomatik, në mënyrë që Republika e Kosovës të vazhdojë të përfaqësohet ndërkombëtarisht, qoftë në konferenca rajonale apo më gjerë.
Sipas saj, po ashtu është e rëndësishme që Kosova të udhëheqë ndonjërën nga këto konferenca dhe që gjatë mandatit të ardhshëm të rritet bashkëpunimi dhe mirëbesimi me shtetet me të cilat tashmë sipas saj ka nisur një proces i tillë.
Pantina: Raportet e SHBA-së me Kurtin kanë qenë të prishura
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shqipe Pantina, ka thënë se ndërtimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë ndër vite. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ajo ka përmendur raportet e kryeministrit Albin Kurti me SHBA-në, duke vlerësuar se ato nuk kanë qenë të mira.
“Për tri dekada me radhë është punuar për ndërtimin e raporteve me SHBA-në. Janë politikanë, diplomatë, aktivistë të shoqërisë civile dhe media që kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e këtyre raporteve. Raportet e Kosovës me popullin amerikan tashmë janë të qëndrueshme dhe natyrisht se ato nuk thyhen lehtë. Ajo që po themi ne është se raportet e SHBA-së me Kurtin kanë qenë të prishura. Është i vetmi kryeministër i cili jo vetëm që nuk ka arritur të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, por as në State Department. Pra i vetmi kryeministër që nuk është pritur siç janë pritur kryeministrat e mëhershëm nga administrata e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Pantina.
Ajo i është drejtuar kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, e cila ishte pjesë e këtij debati, duke theksuar se është e qartë se raportet mes Qeverisë Kurti dhe SHBA-së nuk kanë qenë të mira.
“Ne këtu gjithë ditën mund të gjejmë argumente anash për të justifikuar se raportet nuk janë të prishura, por raportet me qeverinë janë të prishura. Prandaj është e domosdoshme që qeveria e ardhshme menjëherë t’i rikuperojë këto raporte. Mendoj që kjo nuk është e vështirë, sepse zyrtarët amerikanë i kanë takuar liderët e opozitës në çdo vizitë këtu, edhe atëherë kur nuk kanë takuar kryeministrin apo ministrin e Punëve të Jashtme. Dialogu strategjik është pezulluar jo për shkak se dy popujt nuk i kanë raportet e mira, por sepse kjo qeveri nuk ka ditur as t’i mirëmbajë, e lëre më t’i ndërtojë ato, pasi natyrisht është më vështirë me i ndërtu sesa me i mirëmbajtë”, ka thënë ajo.
Pantina ka deklaruar gjithashtu se, nëse arrijnë të jenë në qeverisje, do t’i përmirësojnë gabimet e Qeverisë Kurti.
“Nuk mund të flasim për prioritetet në katër vitet e ardhshme të qeverisjes pa i përmendur dështimet e katër-pesë viteve të kaluara, sepse një nga angazhimet tona kryesore do të jetë korrigjimi apo rinisja e disa prej çështjeve që kjo qeveri i ka stagnuar. E para, tashmë ka filluar procesi i heqjes së sanksioneve, sepse kjo qeveri, për herë të parë, e futi Kosovën në sanksione të Bashkimit Evropian. Prandaj nuk mund të flasim për Bashkimin Evropian pa i rikuperuar raportet e dëmtuara. E dyta është rifillimi i dialogut strategjik me SHBA-në, një tjetër dështim i kësaj qeverie, sepse jo vetëm që nuk pati avancim, por pati regres në raportet me aleatin tonë kryesor, SHBA-në”, ka thënë Pantina.
Ajo ka përmendur si dështim të Qeverisë Kurti edhe humbjen e shansit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.