Zgjedhjet 2025

Votimi i të akuzuarve në Hagë përplas përfaqësuesit e VV-së dhe PDK-së në KQZ

Mbledhja e KQZ-se

Foto: Driton Paçarada

Mbledhja e radhës e KQZ-së është përcjellë me përplasje mes anëtarit të LVV-së, Alban Krasniqi dhe atij të PDK-së, Arianit Elshani.

Krasniqi ka propozuar një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët që po gjykohen në Hagë.

“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Andaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vë komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra, modalitetin e dytë”, u shpreh ai.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani i cili ka thënë se nuk ka nevojë sepse ata hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta.

“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, shtoi Elshani.

Elshanit i është kundërpërgjigjur sërish anëtari i LVV-së, Alban Krasniqi i cili ka thënë se çështja e votimit në Hagë nuk është e rregulluar.

“Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht. Veç pak se po shpif publikisht, veç pak duro, zotëri! Je qëllimisht duke shpifur! Nuk ka! Absolutisht! Është votim jashtë vendit. Ti nuk je duke i shkuar çështjes deri në fund, por po mundohesh të nxjerrësh dikë që t’ia mundësosh e dikujt që të mos ia mundësosh”, u shpreh ai.

Anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi ka shprehur kritikat e tij për informimin në proces të votimit përmes postës me ç’rast edhe është dorëhequr nga Këshilli për Informim i KQZ-së.

“Shqetësimi im ka të bëj me mungesën e informimit edhe të vonë edhe tërësisht të pamjaftueshëm sa i përket procesit të votimit përmes postës. Institucioni ynë deri më tani kur po flasim i ka vetëm dy njoftime që janë njoftime me shabllone, pa video... Jemi shumë keq radhazi që sa kohë sa i përket sferës së informimit dhe mendoj që ka ardhur koha që duhet të ndërmerren veprime në këtë drejtim. Më brengos shumë, një neglizhencë që është edhe pa një reflektim. Një koleg i imi është tërhequr edhe prej Këshillit për Informim edhe ndoshta edhe në shenjë proteste, jam pothuajse në këtë pjesë i gatshëm të tërhiqem, edhe bile po deklaroj tërheqjen time nga Këshilli për Informim, unë nuk marrë pjesë më në këtë këshill derisa sekretariati dhe ne si institucion të ndërmarrim veprime të cilat sigurojnë që në momentin kur fillon një proces produktet e informimit janë të gatshme”, tha Krasniqi.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është bërë edhe plotësim ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar edhe për numrin e pakove me fletëvotime që janë dërguar për votuesit jashtë Kosovës.

“Lidhur me votimin jashtë vendit ju njoftojmë që KQZ me datën 12.12.2025 ka pranuar fletëvotimet nga operatori ekonomik dhe në po të njëjtën datë ka filluar vendosja e tyre nëpër zarfet tregues. Ky proces ka përfunduar me 13.12.2025. Dhe të gjitha zarfet janë dërguar në hapësirën qendrore të operatorit ekonomik dhe në përcjellje të Policisë së Kosovës. Më datën 14.12.2025, 57 mijë e 829 pako me fletëvotime janë nisur në qendrat e DHL për në aeroportin e Shkupit, ku janë përgatitur pakot me qëllim të nisjes së tyre tutje. Më datën 15.12.2025, këto pako janë dërguar në Gjermani dhe më datën 16.12.2025 ka filluar shpërndarja e tyre. Sipas raportit të DHL të pranuar dje më 17.12.2025, në orën 23:00, rezulton se nga 57 mijë e 829 dërgesa në total, 50 mijë e 611 janë dorëzuar me sukses te votuesit ose 88 për qind të dërgesave të cilat votuesit i kanë pranuar. 90 për qind e dërgesave janë dorëzuar te votuesit në Evropë, ndërsa 51 për qind te votuesit jashtë Evropës”, deklaroi ai.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025 dhe ato janë nisur sot përmes postës.


E Buzhala tha se më 15 dhjetor 2025, KQZ ka pranuar analizën e MPJD-së, e cila evidenton se në disa përfaqësi diplomatike kapacitetet e stafit nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve minimale sipas rregulloreve zgjedhore për menaxher të Qendrave të Votimit dhe anëtarë të Këshillave të Vendvotime, nëse subjektet politike nuk dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, analiza thekson sfida shtesë operative, logjistike dhe financiare, përfshirë nevojën për viza dhe distancat e largëta, duke rekomanduar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së Nr. 01/3784-2025 për votim fizik në përfaqësitë përkatëse. Anëtarët e KQZ-së mbështetën rekomandimin që votimi të mos zhvillohet në 8-të përfaqësitë diplomatike në vijim dhe të udhëzohen votuesit që të votojnë përmes postës: Ankara – Turqi (16 votues), Shkup – Maqedoni e Veriut (14 votues), Kanbera – Australi (10 votues), Abu Dhabi – Emiratet e Bashkuara Arabe (10 votues), Iowa – ShBA (8 votues), Podgoricë – Mali i Zi (6 votues), Tiranë – Shqipëri (4 votues) dhe Tokio – Japoni (2 votues).

Pas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 Ambasada dhe 13 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.Procesi i votimit më 27 dhjetor 2025 do të zhvillohet në këto përfaqësi diplomatike: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Uashington – ambasadë; Nju Jork – konsullatë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 9. Kanada (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Pati reagime nga anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Alban Krasniqi, që e quajti këtë votim si “maja e trupit”. 

“Kaq mund të bëni ju, kaq keni takat ti e ata servilët tjerë që dërgojnë këto gjëra pa asnjë bazë ligjore”, tha Krasniqi.