Zgjedhjet 2025

Dyshimet për manipulim me vota në Prizren, kryeprokurori Kryeziu autorizon Policinë që t'i identifikojë fajtorët

Petrit Kryeziu

Pas dyshimeve për manipulim të votave në Komunën e Prizrenit, kryeprokurori Petrit Kryeziu, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova duke përfshirë edhe nënshkrimet e tyre.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar vet Kryeziu i cili këtë autorizim për policinë tha se e ka lëshuar me vetiniciativë. Kryeziu potencoi se çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore, nuk duhet të qëndroj i qetë.

“Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, ka thënë në përgjigjen e tij, Kryeziu.

Procesi i rinumërimit të votave ka zbardhur manipulimin që është bërë në Qendrat Komunale të Numërimit. Devijim më i madh është evidentuar në Prizren, te kandidatët e Partisë Demokratike, e cila udhëheq me këtë komunë.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën më 28 dhjetor.