Sektori ku Lëvizja Vetëvendosje thotë se do ta përqendrojë më së shumti angazhimin në mandatin e ardhshëm, nëse del fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit, është bujqësia.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm do të punojnë për fuqizimin e fermerëve.
Ajo përmendi disa pika ku do të fokusohen gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, duke nisur fillimisht me sigurimin bujqësor.
“Përveç subvencioneve dhe granteve, kemi mbështetur edhe përmes largimit ose subvencionimit të naftës. Në këtë mënyrë neve na duhet të sigurojmë konkurrueshmërinë dhe produktivitetin që e arrijnë fermerët, dhe sigurimi bujqësor është tepër i rëndësishëm. Pastaj vazhdojmë me certifikimin dhe tregun e garantuar. Ne po mendojmë se fermerët duhet t’i certifikojnë prodhimet e tyre në mënyrë që t’u sigurojmë treg të garantuar edhe në vendin tonë, edhe jashtë Kosovës. Pra, produktet tona bujqësore të promovohen edhe jashtë tregut të Kosovës, në tregun evropian”, ka thënë Pacolli.
Si pika të rëndësishme në planprogramin e tyre, Pacolli përmendi edhe certifikimin e prodhimeve dhe sigurimin e tregut të garantuar.
“Ne po mendojmë se fermerët duhet t’i certifikojnë prodhimet e tyre në mënyrë që t’u sigurojmë treg të garantuar edhe në vendin tonë, edhe jashtë Kosovës. Pra, produktet tona bujqësore të promovohen edhe jashtë tregut të Kosovës, në tregun evropian. Aplikimi i granteve do të ndryshohet. Tani kemi pasur mundësi që fermerët të aplikojnë një herë në vit, ndërsa prej vitit të ardhshëm, si udhëheqës të qeverisë së ardhshme, do të krijojmë mundësi që fermerët të aplikojnë për grante gjatë gjithë vitit. Pra, nuk do të ketë afate të caktuara kur fermerët duhet të nguten apo t’i plotësojnë dokumentet, por do ta kenë mundësinë gjatë gjithë vitit, në kohën më të përshtatshme për ta”, ka thënë ajo.
Sipas Pacollit, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe fermerëve të papërkrahur, të cilët ajo i ka quajtur “fermerë të vegjël”, e që sipas saj do të kenë mundësi të përfitojnë nga Ministria e Bujqësisë.
“Ne i quajmë fermerët e papërkrahur fermerë të vegjël, të cilët nuk kanë qenë kategori e subvencionuar apo e mbështetur me grante nga Ministria e Bujqësisë, sepse fermat e vegjël bien në kujdesin e komunave. Në këtë formë kemi hasur se fermerët e vegjël kanë pasur vështirësi dhe e kemi futur këtë si kategori për t’i mbështetur fermerët e vegjël me grante, për të cilat do të kërkohen kritere minimale. Aplikimi për subvencione do të bëhet online. Deri më tani aplikimi është bërë përmes mbledhjes së dokumentacionit dhe dorëzimit të tyre. Ne do ta lehtësojmë këtë procedurë dhe fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë nga shtëpia përmes sistemit online”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka premtuar gjithashtu se të gjithë fermerët do të furnizohen me kartën e fermerit, përmes së cilës, sipas saj, fermerët do të kenë qasje më të lehtë në produkte bujqësore dhe në produkte të certifikuara bujqësore.