Zgjedhjet 2025

Pacolli: Degradimi dhe kontaminimi i ujërave ka nisur vite më parë

pacolli

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka folur për degradimin e lumenjve, ku sipas saj, gjendja e tyre është përkeqësuar vite më parë.

Ajo, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka thënë se investimet në hidrocentrale të vogla i kanë dëmtuar rrjedhat e lumenjve dhe sektorin e bujqësisë.

Pacolli ka shtuar po ashtu se derdhja e kanalizimeve në lumenj, betonizimi i lumenjve dhe nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë dëmtuar gjendjen e lumenjve.

Në mandatin e tyre të ardhshëm, nëse dalin fitues, ajo ka thënë se do të ndërmarrin një aksion për pastrimin e lumenjve.

“Do të ndërmarrim një aksion shtetëror për mobilizim dhe adresim të ndotjes së lumenjve, por edhe ndotjes në përgjithësi që i shkakton lumenjtë, arat dhe pyjet, lidhur me kanalizimet. Është në planin e LVV-së që t’i adresojmë sidomos ndotësit e mëdhenj, industri dhe biznese private, por me fokus të drejtpërdrejtë te lumenjtë. Ne kemi filluar investimet në këto drejtime, për shembull ka filluar ndërtimi i impiantit – kolektorit në Ferizaj, i cili automatikisht e pastron dhe e largon derdhjen e kanalizimeve në lumin Nerodime”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka thënë gjithashtu se thelbi kryesor i angazhimit të tyre është investimi në impiante për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në lumenj apo depërtojnë përmes ujërave nëntokësore.

“Lumenjtë e mëdhenj do të trajtohen përmes kolektorëve dhe impianteve të mëdha, të cilat i trajtojnë sasi të mëdha të ujërave të zeza, ndërsa nëpër fshatra, ku kemi problem në tërë territorin e Kosovës, do të shkohet me impiante të vogla në fshatrat e mëdha – secili fshat do ta ketë impiantin e vet”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij debati, Pacolli i ka përmendur edhe sukseset që, sipas saj, i kanë arritur si parti.

 

Lexo përditësimet tjera
z

Zgjedhjet në Kohë: Çka premtojnë partitë për bujqësinë dhe mjedisin?