Zgjedhjet 2025

Palokaj: Diaspora vazhdon të jetë e lidhur me Kosovën, kjo dëshmohet edhe me pjesëmarrjen në zgjedhje

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht dhe e lidhur me Kosovën. Palokaj ka thënë se kjo dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. 

“Diaspora e Kosovës është mjaft e angazhuar politikisht. Vazhdon të jetë e lidhur me Kosovën dhe ta ndien atë lidhje, që dëshmohet edhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje që nuk shihet aq shumë te disa popuj tjerë. Kosova është prapë një fenomen, ka qenë gjithmonë. Politika e Kosovës prej që e mbaj mend unë, nuk është zhvilluar asnjëherë pa pjesëmarrjen aktive të diasporës në të gjitha partitë politike, në të gjitha strukturat intelektuale, mediatike, madje edhe ushtarake. Kjo nuk është varur nga përkatësia partiake e nuk varet as tani. Fakti se në një moment të caktuar diaspora më shumë voton për një parti apo një tjetër, pak a shumë reflekton edhe situatën në Kosovë. Ndoshta ka ndonjë tendencë pak të ndryshme, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë Palokaj në “Zgjedhjet në KOHË”. 

VIDEO:

Palokaj ka treguar edhe që diaspora e kishte shpëtuar Rumaninë nga ndikimi rus. 

“Ka shtete ku kanë diasporë të madhe. Rumania ka me miliona. Me përqindje krahasuar me popullin që jeton në vendin amë nuk është aq sa e Kosovës, por Rumania ka mbi 20 milionë banorë dhe ka diasporë të madhe. Diaspora rumune ka qenë kyç për të parandaluar fitoren e forcave proruse në Rumani. Po ashtu edhe Moldavi, ku ishin zgjedhjet dhe referendumi për t’iu bashkuar BE-së. Falë votës proevropiane të diasporës, pasi ajo ndodhet kryesisht në BE, fituan forcat proevropiane e përpak u parandalua që të ngadhënjejnë forcat proruse në ato vende”, tha Palokaj. 

Palokaj tregoi edhe dallimin mes diasporës së Kroacisë dhe të Kosovës. 

Ai ka thënë se diaspora e Kroacisë ka humbur interesimin më të votojë. 

“Unë jam shtetas i Kroacisë dhe votoj në Ambasadën e Kroacisë këtu në Belgjikë në zgjedhjet e Kroacisë. E kam vërejtur zhdukjen shumë të shpejt të vullnetit të kroatëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kroacisë. Si shembull e marr Brukselin ku nuk ka aq shumë kroatë, e po shtu edhe Dublinin në Irlandë ku janë mbi 45 mijë kroatë e nuk votojnë as 100 apo 200. Do të thotë se ata të rinj që janë larguar nga Kroacia janë shkëputur tërësisht e nuk duan të kenë më asnjë lidhje, përveçse kur shkojnë në pushime në det”, tha Palokaj. 

Ai tregoi se si në Kroaci në periudhën e pasluftës diaspora ishte jashtëzakonisht e angazhuar. 

“Kroacia është shtet ku i ka të rezervuara tri vende në Kuvend për përfaqësues të diasprës, për të vlerësuar kontributin e saj në pavarësinë e Kroacisë, financimin e luftës mbrojtëse dhe kontributin që ka dhënë në rimëkëmbjen e shtetit...Në anën tjetër Kroacia ka keqpërdorim të diasporës. Si diasporë, çdo shtetas kroat që jeton jashtë Kroacisë, e këtu konsiderohen edhe shtetasit kroatë në Bosnjë-Hercegovinë e që janë mbi 1 milion. As gjysma e tyre nuk janë kroat, por kanë shtetësinë e Kroacisë dhe rrjedhimisht ato tri vende i mbushin kroatët e Bosnjës. Gjithmonë ato vende i kanë fituar partitë e qendrës së djathtë”, ka thënë Palokaj.  
 

E analisti politik Adrian Zeqiri ka treguar se si në Izrael ata që nuk janë banor rezident nuk lejohen të votojnë në zgjedhjet nacionale. 

“Ka plotë shtete që përballen me votë të diasporës duke përfshirë edhe vendin prej nga lind edhe emri diasporë, Izraeli. Është komuniteti hebre që është i shtrirë gjithandej botës, duke përfshirë më së shumti në SHBA. Ka po aq hebre në SHBA ndoshta sa ka në Izrael. Mirëpo, aty pa qenë rezident në Izrael, edhe nëse e ke nënshtetësinë e nuk e dëshmon se je rezident, nuk ka të drejtë vote. Kuptimin që janë kufizuar dmth disa të drejta ndaj shtetasve izraelitë që nuk jetojnë në Izrael...Është ndryshe për dy-tri javë me ardh me jetu në Kosovë si shembull e ndryshe për ata që jetojnë për çdo ditë këtu e përballen”, tha Zeqiri. 

Diaspora e Kosovës votoi nëpër Ambasada të shtunën për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet - 28 dhjetor, 2025

Kosova voton