Bugaqku: Për vettingun duhet kompromis politik, duhet edhe vota e Listës Serbe
Vullnet Bugaqku nga KDI, ka thënë se procesin e vettingut po e pengon vetëm mungesa e konsensusit politik sepse pjesa tjetër është e përfunduar. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Bugaqku ka thënë se duhen edhe votat e deputetëve të Listës Serbe për të kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Tutje Bugaqku ka thënë se Kosova në lidhje me vettingun ka dështuar kur nuk ka arritur ta bindë Komisionin e Venecias për vlerësim të performancës dhe si rrjedhojë drita e gjelbër është dhënë për një vetting shumë të kufizuar.
“Procesi i vettingut nuk është sabotuar nga askush. LDK-ja ka qenë bartëse e komisionit për hartimin e amandamenteve kushtetuese të procesit të vettingut. Ku kemi dështuar si shtet është që nuk kemi arritë ta bindim Komisionin e Venecias që vettingun duhet ta bëjmë për vlerësim të performancës. Neve na është dhënë drita e gjelbër ta zhvillojmë nje koncept të vettingut në mënyrë shumë të kufizuar. Vetëm në vlerësim të integritetit, të krerëve të sistemit drejtësisë. Jo të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kanë nisur e janë përfunduar amandamentet kushtetuese por për shkak të mungesës së votës së Listës Serbe, nuk ka kaluar. Pa e bindë Listën Serbe për votë në kuvend, nuk do të kemi fare proces. Pengesë është mungesa e konsensusit politik”, ka thënë Bugaqku.
Kolshi: LVV-ja ka vetëm një faqe program për drejtësinë, edhe aty ka kontradikta
Duke komentuar programet e partive politike, Melos Kolshi nga IKD-ja ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm një faqe program për drejtësinë por edhe në atë faqe, ka kontradikta. Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” në KTV, Kolshi tha se një nga to është premtimi për ta bërë një Prokurori Speciale për luftimin e korrupsionit kur Kosova veçse e ka Prokurorinë e saj Speciale.
Kolshi tutje ka thënë se kjo qeveri në vazhdimësi ka mbrojtur të akuzuarit.
“Ne e dimë sa seriozisht e ka pasur kjo qeveri luftën kundër korrupsionit. Vetë akterë qeveritarë dhe me deklarata publike kanë mbrojtur të akuzuarit siç ishte rasti i Krasniqit (Nagip Krasniqi) në KEK e po ashtu edhe raste të tjera të shumta të cilat janë duke u gjykuar. Kemi pasë edhe deklarata të kryeministrit ku janë mbrojtur ata. Është vendimi i Gjykatës Supreme ku ka vërtetuar që mbajtja e dy pozitave është e jashtëligjshme ndërsa këta kanë vazhduar i kanë mbajtur këto pozita e madje kanë marrë edhe vendime. Duke analizuar programet politike drejtuar qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, është mungesa e një strategjie se si do të arrihen ato premtime. Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm një faqe program për drejtësinë ku aty ka edhe gjëra kontradiktore. Është rasti ku thuhet do ta bëjmë edhe një Prokurori Speciale e ne e kemi Prokurorinë Speciale. Nuk është logjike ta kemi edhe një tjetër Prokurori Speciale. Kjo është jashtëzakonisht kontradiktore”, ka thënë Kolshi.

Musa: Qeveria Kurti e pengoi luftën kundër korrupsionit
Avokati Skender Musa, ka deklaruar se qeveria Kurti përpos që nuk bëri asgjë për ta luftuar korrupsionin, madje edhe e pengoi drejtësinë në punën e saj.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” në KTV, Musa deklaroi se kjo më së miri është vërejtur kur policëve që hetonin zyrtarët e lartë të qeverisë, iu ndërrohej vendi i punës duke i transferuar në të tjera dikastere.
“Nuk ka pasur luftë kundër korrupsionit por ka pasur pengesë të policisë dhe prokurorisë për të luftuar korrupsionin dhe kjo shihet më së miri me ndërrimin e vendeve të policëve që kanë marrë pjesë në hetimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë. Zakonisht ata kanë përfunduar nga hetues të krimeve të rënda në drejtorinë ekonomike që merret me korrupsionin. Largimin e tyre, transferimin në vendet e punës. Gjithashtu është bërë presion i madh në drejtim të Prokurorisë Speciale që është institucion kompetent për hetimin e veprave penale siç është: korrupsioni, krimi i organizuar dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjë me keqpërdorim të autoritetit zyrtar”, ka deklaruar avokati Musa.
Sipas Musës në vend të sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë do të ishte më mirë që të bëhej ndonjë platformë ose ndonjë plan se si të luftohet korrupsioni gjatë këtij mandati por edhe siç kanë premtuar “hetimin e korrupsionit në të kaluarën”.
Musa ka thënë se Qeveria ka bërë përpjekje të pengojë luftën ndaj korrupsionit.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka mbajtur premtimin që do t’i hetojë rastet e mëhershme korruptive.
Sipas tij, nuk është dorëzuar asnjë lëndë nga VV-ja për qeveritë e kaluara.
“Nuk është dorëzu asnjë lëndë e ish-qeverive të kaluara ashtu siç ka premtuar VV-ja, dhe nuk ka pasur aktakuza të ngritura”, ka thënë ai.
Nrecaj për Qeverinë Kurti: Zero luftë kundër korrupsionit, s'ka pasur as strategji
Albulena Nrecaj nga organizata INPO ka thënë se ka pasur zero luftë kundër korrupsionit nga Qeveria Kurti.
Ajo ka thënë se qeveria nuk ka pasur asnjë strategji për luftën kundër korrupsionit.
“Në anën tjetër nëse e shikojmë aspektin që ku është shpenzimi i parasë publike, aty ka më shumë potencial për korrupsion e që është prokurimi publik. Kjo qeveri ka dëshmuar se ka qenë një nga shpenzueset më të mëdha e dyshimtë përmes prokurimit, përmes aferave të ndryshme. Asnjëherë nuk kemi pas llogaridhënie, apo sqarime”, ka thënë jo.
Nrecaj ka thënë se ka pasur edhe sulme ndaj gjyqësorit nga qeveria.