Nga 1180 kandidatë për deputetë që ka certifikuar Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 789 apo 66.86 për qind janë burra, ndërkaq 391 apo 33.13 për qind janë gra, raporton KosovaPress.
Këtë e bëri të ditur kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në diskutimin që misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Francës organizuan të hënën për pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore.
Radoniqi, tha se fuqizimi i rolit të grave në jetën demokratike është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional dhe shoqëror.
Angazhim më të madh në fuqizimin e grave në institucioneve kërkuan edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot dhe kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk.
Radoniqi ka treguar se nga 10 mijë e 606 komisionerë, vetëm 3 mijë e 763 janë gra
“Nga 10,606 anëtarë të këtyre këshillave, 64.53% e tyre apo 6,843 janë burra, ndërkaq 35.47% apo 3,763 janë gra. Përqindje të pjesëmarrjes së grave në trupat zgjedhore të njëjtë kemi pasur edhe në zgjedhjet lokale të para dy muajve. Nga 14,353 anëtarë, 63.24% apo 9,077 ishin burra, ndërkaq 36.76% apo 5,276 ishin gra”, tregoi Radoniqi.
Radoniqi theksoi rolin e KQZ-së në përfaqësimin gjinor në proceset zgjedhore dhe sipas tij, KQZ është e përfshirë drejtpërdrejt në dy dimensione: në zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe në përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.
“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim të drejtpërdrejtë ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, në aktin nënligjor për themelimin dhe përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, me qëllim të avancimit të përfaqësimit gjinor dhe forcimit të barazisë në administrimin zgjedhor”, tha Radoniqi.