Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Gara elektorale e Osmanit

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Osmani: Fëmijëve të mi u dërgohen foto lakuriq nga grupet e Vetëvendosjes

10 min. më parë / 2 qer 2026 20:50
Vjosa Osmani

Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, për një fushatë të organizuar sulmesh dhe shpifjesh ndaj saj, duke pretenduar se cak i këtyre sulmeve janë bërë edhe fëmijët e saj.

Osmani ka thënë se që nga 6 marsi është përballur me akuza të ndryshme nga eksponentë të Vetëvendosjes dhe i bëri thirrje Kurtit që t’i argumentojë publikisht pretendimet e bëra ndaj saj.

“Nga data 6 mars, LVV-ja nëpërmjet eksponentëve politikë dhe duke filluar nga Kurti, i cili akuzonte për skema e për të cilat publikisht le të dalë personalisht ai dhe jo të fshihet prapa deputetëve që kanë kaluar kohë me Radoiçiqin, dhe le ta shprehë një dëshmi të vetme për gjërat për të cilat partia e tij më ka akuzuar nga data 6 mars”, ka deklaruar Osmani në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ajo u shpreh se gjatë viteve është përballur me etiketime të ndryshme politike, por pretendoi se sulmet kanë prekur edhe familjen e saj.

“Unë do të përballem me këto akuza të turpshme që VV-ja m’i ka bërë tërë jetën. Më kanë quajtur tradhtare, motër e Vuçiqit. Çdo mëngjes fëmijët e mi zgjohen duke parë foto lakuriq, të cilat grupet e Vetëvendosjes i bëjnë kundër meje. A nuk është e turpshme? Ju dërgohen, sepse i godasin edhe fëmijët e mi”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, në grupe të lidhura me Vetëvendosjen shpërndahen vazhdimisht përmbajtje kundër saj, ndërsa ajo pretendon se këto aktivitete organizohen me urdhra politikë.

“Çdo ditë me miliona shpërndarje në grupet e VV-së, që marrin urdhra personalisht nga Kurti, më quajnë tradhtare të kombit, më thonë se e kam shitur Kosovën”, ka deklaruar Osmani.

Osmani: Mirëqenia e ushtarakut dhe e policit nuk mund të shikohet nga mendësia e një kontabilisti

18 min. më parë / 2 qer 2026 20:42
Vjosa Osmani

Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj mirëqenies së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, duke thënë se siguria shtetërore duhet të jetë prioritet dhe se ushtarakët e policët duhet të trajtohen me dinjitet.

Osmani ka thënë se është e pafalshme që pjesëtarëve të FSK-së nuk u janë dhënë shtesat që u takojnë sipas ligjit, përfshirë ato për rrezikshmëri, punë jashtë orarit dhe trajnimet afatgjata.

“Unë e kam thënë publikisht që ushtarakëve të FSK-së është e pafalshme që të mos u jepen shtesat për rrezikshmëri, për punë pas orarit, mëditje për trajnimet mbi një muaj e shumëçka tjetër që u takon sipas ligjit. Kam propozuar edhe një plan shtatëpikësh që do ta rriste mirëqenien e FSK-së”, ka deklaruar ajo në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.

Sipas Osmanit, edhe Policia e Kosovës përballet me mungesë të përkrahjes institucionale, ndonëse zyrtarët policorë rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.

“Edhe Policisë duhet t’i rritet mirëqenia sepse këta djem dhe vajza në baza ditore rrezikojnë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Qe gjashtë muaj, Policia nuk i merr shtesat që i takojnë. Pastaj rrobat që i kanë t’i marrin çdo gjashtë muaj sipas rregullores, nuk i kanë. Për vite të tëra nuk kanë marrë të reja. Janë kushte bazike që do t’i motivonin ata”, ka thënë ajo.

Osmani kritikoi edhe arsyetimet që, sipas saj, janë dhënë për mosrealizimin e këtyre kërkesave, duke përmendur ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

“Nuk e di pse atij (Kurtit) i kanë penguar këto kërkesa, sepse mirëqenia e ushtarakut dhe e policit nuk mund të shikohet thjesht nga mendësia e një kontabilisti (Hekuran Murati), i cili thoshte se nëse i japim këtyre, duhet t’i japim të gjithëve. Por ne kemi prioritet sigurinë shtetërore. Përtej armatimit, ushtaraku dhe polici duhet të ndihen të motivuar”, ka deklaruar Osmani.

Osmani e gatshme të tërhiqet: Emri im s’do shndërrohet në arsye për bllokadë

31 min. më parë / 2 qer 2026 20:30
Vjosa Osmani

Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se emri i saj nuk do të bëhet pengesë për formimin e institucioneve të vendit, duke theksuar se është e gatshme të tërhiqet nëse kjo do t’i shërbente tejkalimit të bllokadave politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Osmani ka thënë se asnjëherë nuk ka insistuar që me çdo kusht të marrë një mandat të dytë presidencial dhe se prioritet i saj mbetet forcimi i institucioneve të Kosovës.

“Në asnjë moment emri im nuk do të shndërrohet në arsye për bllokadë. Jo për shkak se unë e kam bërë të qartë edhe para se të fillojë bashkëpunimi me LDK-në, edhe kur kam shprehur interesim që të kandidojë për një mandat të dytë, në asnjë mënyrë nuk kam insistuar, nuk kam pasur me patjetër. Do të tërhiqem e para nëse mund t’i japim vendit institucione të forta”, ka deklaruar Osmani në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ajo ka thënë se angazhimi i saj ka qenë i përqendruar në avancimin e interesave strategjike të Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë, duke përmendur bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera partnere.

Sipas Osmanit, gjatë këtij mandati është hapur një kapitull i ri në raportet me SHBA-në dhe aleatët e tjerë, me synimin për ta afruar Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe për të përmbyllur procesin e njohjeve ndërkombëtare.

“Interesimi im i vetëm ka shkuar në drejtim të asaj meqenëse e fituam një kapitull të ri bashkëpunimi me SHBA-në dhe shtetet e tjera aleate, ku diskutuam për një rrugë të qartë përpara edhe me presidentin Trump dhe sekretarin Rubio, që Kosovën ta shpijmë në NATO, ta përmbyllim procesin e njohjeve. Arritëm që brenda këtij viti, me punën e afërt me administratën Trump, ta marrim një lloj betonimi për paprekshmërinë e kufijve tanë”, ka thënë Osmani.

Osmani: Kurti do të ketë dy zgjidhje për çështjen e presidentit

43 min. më parë / 2 qer 2026 20:18
Vjosa Osmani

Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pas përfundimit të zgjedhjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të përballet me dy alternativa sa i përket zgjedhjes së presidentit të vendit.

Duke komentuar deklarimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, Osmani ka thënë se ato synojnë të ndërtojnë një narrativë që dëmton kredibilitetin e saj politik para qytetarëve, por shtoi se realiteti politik pas zgjedhjeve do t’i detyrojë partitë të gjejnë zgjidhje për institucionet e vendit.

“Tash deklarimet që bëhen përgjatë fushatës, i kuptoj. Bëhen me qëllim që të ndërtohet një narrativë që do më dëmtonte mua dhe kredibilitetin politik para qytetarëve. I njoh shumë mirë gjithësecilin, e më së miri Kurtin, e njoh edhe më mirë skenën politike të Kosovës. Kur përfundojnë zgjedhjet, e dimë se të gjitha partitë, duke lënë anash Listën Serbe, do të duhen të ulen dhe të gjejnë zgjidhje përpara”, ka thënë Osmani në “Zgjedhjet në KOHË” të martën.

Ajo vlerësoi se Kurti do të ketë vetëm dy opsione për zgjedhjen e presidentit, duke e paraqitur veten si njërën prej tyre.

“Edhe Kurti për presidentin do t’i ketë dy zgjidhje përpara, o të përkrah një president që ka përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të mundshme, vlerësim që ka qenë edhe i tij deri tash, ose të përkrah alternativën të cilën ai e quan si alternativa e komandantëve, e Lushtakut e të tjera. Këto janë dy alternativat sepse janë dy parti të tjera, përveç VV-së, me të cilat ai do të zgjedhë të bashkëpunojë sa i përket çështjes së presidentit”, ka deklaruar Osmani.