Pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar mbi dy mijë komisionerë që do të merren me numërimin e votave. Në këtë institucion kanë thënë se u kanë kërkuar partive të mos propozojnë persona të përfshirë në parregullsi gjatë proceseve të mëhershme zgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ua ka lënë partive politike barrën e përgjegjësisë për komisionerët që mund të kenë qenë të përfshirë në parregullsi zgjedhore në proceset e kaluara.
Në mbledhjen e 60-të të KQZ-së për këtë vit, e mbajtur të martën, janë akredituar 2.212 komisionerë që do të merren me numërimin e votave në Qendrat Komunale të Numërimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAnëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, ka thënë se institucioni u ka kërkuar subjekteve politike të mos propozojnë persona që në zgjedhjet e mëhershme janë përfshirë në manipulime apo shkelje gjatë procesit të numërimit.
“Ne edhe si anëtarë të KQZ-së, por edhe sekretariati gjithashtu, për sa ka mundur ka qenë i përfshirë në mos përfshirjen e tyre por se në fund përgjegjësia natyrisht që do t’u mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave”, ka thënë Krasniqi që vjen nga radhët e Vetëvendosjes.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, rreth 250 mijë vota të kandidatëve për deputetë janë manipuluar nëpër qendrat komunale të numërimit.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ-ja ka akredituar edhe grupin e dytë të vëzhguesve për zgjedhjet lokale të 7 qershorit.
Procesi zgjedhor do të monitorohet nga 16.543 vëzhgues të partive politike, organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të mediave.
E në mbledhjen e së martës është diskutuar edhe lidhur me tërheqjen 9.650 e zarfeve nga Berlini, me fletëvotime të votuesve nga diaspora.
Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, ka ngritur shqetësimin se tërheqja e tyre është bërë pa praninë e vëzhguesve të subjektit që ai përfaqëson.
“Është mirë që të jetë parasysh edhe informimi me kohë i subjekteve politike në mënyrë që tërheqja të bëhet në prezencën e vëzhguesve të subjekteve politike kudo në vendet në perëndim ku janë dhe të lajmërohen me kohë dhe jo vetëm ta lënë në vazhdën e dërgimit të një e-maili sepse ka gjasë që të mos lexohet dhe pastaj të mbetet me një vëzhgues apo pa përfaqësim mbikëqyrja”, ka thënë Gashi.
Por, Krasniqi, që është anëtar i nominuar nga Vetëvendosja, ka thënë se vëzhguesit janë njoftuar përmes e-mailit dhe zarfet me fletëvotime tashmë kanë mbërritur në Prishtinë.
Votimi nga diaspora, përmes postës ka nisur më 21 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor, kur edhe do të organizohet votimi fizik në përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Këto vota numërohen pas atyre nga vendvotimet e rregullta.