Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ju jeni amatera në politikë të jashtme, erë nuk merrni” – Lushaku-Sadriu me akuza në drejtim të VV-së
Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështim në politikë të jashtme. Lushaku në emisionin “Konfront” të KTV-së i ka thënë Liza Gashit të Lëvizjes Vetëvendosje, se “janë amatorë në politikë të jashtme”.
“Në sanksione të ka shti Bashkimi Evropian, 800 milionë euro asistencë i ke humbur ti dhe Qeveria jote. Kosovës ia keni humbur. A e dini se çfarë kishit bërë me 800 milionë euro? Sa shkolla, çerdhja ishin ndërtu”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
E Gashi, ish-zv.ministre e Jashtme e Kosovës, ka thënë se BE-ja ka vendosur sanksione pasi “Kosova nuk ka pranuar me u nënshtruar”.
Por, Lushaku-Sadriu ka vazhduar me akuza.
“Çfarë nënshtrimi more, s’keni ide në diplomaci. Amatera jeni. ABC nuk dini. Në politikë të jashtme erë nuk merrni. Amatera, amatera. Ato që dijke politikë të jashtme e përjashtuat, amatera jeni. S’merrni vesh hiq, hiq zero”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu drejtuar VV-së: Jeni të pandershëm, Byroja me juve ka me pasë punë
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, i është përgjigjur akuzave të kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Liza Gashi, e cila deklaroi se ish-opozita nuk qëndroi në sallë për të votuar pakon prej 200 milionë eurosh, si mbështetje për qytetarët.
Lushaku-Sadriu e ka quajtur të pandershme Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa e ka akuzuar se edhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e kanë marrë si projekt prej LDK-së dhe as korrupsionin nuk e kanë luftuar siç janë zotuar.
“Ti e bën atë vetëm para zgjedhjeve, ne jemi për të ndihmuar qytetarët për çdo muaj e për çdo vit. Jeni të pandershëm, bëni politika të pandershme. Për vite me radhë kanë thënë se do të vijnë në pushtet për të luftuar korrupsion. Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka qenë projekt i LDK-së, e kemi mbështetur dhe e kemi votuar dy herë në Kuvend. Le të më tregojnë cilin politikan e kanë futur në burg për gjashtë vite. Byroja me ju do të ketë punë. I keni shituar 1 miliard euro rrymë Vuk Hamoviqit”, ka thënë Lushaku-Sadriu në emisionin "Konfront" në KTV.
“Mos u nxej, mos bëjë zhurmë” - Përplasen Gashi e Hoxha
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Liza Gashi, është përplasur me kandidaten për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, në lidhje me qeverisjen e kryeminsitrit në detyrë Albin Kurti.
Hoxha ka kërkuar nga Gashi që të numëroj disa projekte të realizuara gjatë mandatit të Kurtit.
“Oj Lizë e dashur nuk kemi nevojë për zhurmë, unë të pyeta konkretisht dhe dëshiroj ta di, mos u ‘nxejë’ as mos bëjë zhurmë, sinqerisht dua ta di çka janë punët që i prekë qytetari i Kosovës. Vetëm na trego rezultatet e Qeverisë në këto pesë vite”, ka thënë Hoxha.
Gashi është shprehur se një nga rezultatet është shtrirja e sovranitetit të vendit.
“Një nga to është shtrirja e sovranitetit. Duhet të më dëgjosh në mënyrë që t’i tregojë”, ka thënë Gashi.
Hoxha ka kërkuar që Gashi meqenëse ishte pjesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i numëroj njohjet që ia kanë sjellë Kosovës.
“M’i numëro njohjet. Vetëm njohjet m’i numëro”, është shprehur Hoxha.
Gashi e ka akuzuar Hoxhën se prej vitesh PDK-ja ka punuar për interesa të ngushta.
“Unë të kuptoj ty, vjen prej një këndi i cili ndër vite keni punuar për interesa të ngushta”, akuzoi Gashi.
Hoxha e akuzoi Gashin se e ka hapur organizatën joqeveritare “Germin” dhe ka dërguar fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Ti nuk më njeh mua as nuk ma di kontributin. Ti nuk e di çka punojë unë andaj nuk ta lejoj të flasësh kështu për mua. Kjo është fyerje. E ke hap ‘Germinin’, ke ardhë këtu dhe iu jep fonde ‘Germinit’ përmes Ministrisë ku je ti, po lëre mos më shtyj të flas”, ka deklaruar Hoxha.
Në një moment, Hoxha i tha Gashit se ia ndalon të flasë për të dhe PDK-në.
“Lemë rahat se po du me fol, i kam minutat e mi. Të lutem mos fol, ta ndaloj më me fol për neve. Zonjë je pozitë 5 vjet, fol për rezultate të tua. Ti për mua nuk mundesh me fol, ta ndaloj. Ta ndaloj me fol për Eliza Hoxhën e PDK-në. Nuk je e thirrur. Je në Vetëvendosje fol për Vetëvendosjen se çfarë ka bërë qe 5 vjet”, tha Hoxha.
E Gashi tha se nuk mund t’i ndalojë asgjë.
Hoxha: Programi i VV-së ka vetëm një fletë më shumë nga ai i kaluari
Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është shumë e vështirë të kuptohet se si Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me 51 për qind të votave, vazhdon ta akuzojë opozitën se e çoi sërish vendin në zgjedhje.
Më 7 qershor do të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta zgjedhin presidentin.
Hoxha ka thënë se programi i Vetëvendosjes për zgjedhjet e dhjetorit ishte vetëm një fletë më tepër se ai i zgjedhjeve të shkurtit.
“Nëse e shikon edhe programin e fundit të Vetëvendosjes, dallimin me të shkurtit të vitit 2025 dhe dhjetorit të vitit 2025, është komplet i njëjti përveç sloganit. Ka vetëm një faqe shtesë që flet për zotimet e para. Pesë zotimet e para”, ka thënë Hoxha në “Konfront” të KTV-së.
Hoxha ka thënë se ato zotime ishin për të çuar përpara brenda një muaj e gjysmë, e pa diskutime në komisionet përkatëse, ligjet me procedurë të përshpejtuar.
“Këta e dinin saktësisht se çfarë po bënin. E kanë pru edhe çështjen e presidentit në ditën e fundit. Ditën e fundit në orët e pasdites”, tha Hoxha.
Lushaku-Sadriu: LVV-ja e ka ditur saktë se po shkojmë në zgjedhje
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ditur të bëjë kompromis prandaj edhe vendi shkoi në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit.
Lushaku-Sadriu në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se kjo parti e ka ditur që nga fillimi se do t’i nënshtrohemi edhe një herë zgjedhjeve prandaj edhe “luftojnë” se kë ta fajësojnë.
“Partia që i ka pasur 51% nuk ka arritur deri te një zgjidhje e ngërçit politik sepse nuk ka ditur të bëjë kompromis dhe e ka shkelur Kushtetutën shumë herë. Me thënë të drejtën, personalisht mendoj se i përshtatet shumë partisë së madhe, i përshtaten këto kriza. Sundimtarët zakonisht i bëjnë këto kriza politike për ta sunduar popullin. Në vend se të bëjnë politika që i lehtësojnë punën qytetarëve, nuk i dijnë as tri projekte zhvillimore. Në vend se të flisnim për këto projekte, ne flasim se kujt t’ia lëmë fajin”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu ka deklaruar po ashtu se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së sillte ligje në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar me procedurë të shpejtë, duke e ditur saktë se do të shkojmë sërish në zgjedhje.
“Shefja e grupit parlamentar ka sjellë ligje për t’u votuar me procedurë të shpejtë sepse po shkojmë në zgjedhje. Sa herë e kam dëgjuar këtë frazë, duke menduar se e kanë për të bërë drama, a në fakt këta e kanë ditur saktë se po shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ish-deputetja e LDK-së.
Gashi e VV-së: Kjo fushatë është për të rikonfirmuar rezultatin tonë
Liza Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në zgjedhjet e 7 qershorit futen për ta rikonformuar rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje mori mbi 51 për qind të votave.
“Kjo fushatë është fushatë për ta rikonfirmuar rezultatin tonë, e me vazhdu tutje me nxjerr vendin nga situata aktuale”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.
Ajo ka akuzuar partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar se po ka probleme me fituesin e zgjedhjeve, që është Lëvizja Vetëvendosje.
“Kemi opozitë që vazhdimisht tenton ta portretizojë Vetëvendosjen me kondita autoritare, por refuzon rezultatin demokratik. Si rezultat i kësaj po kthehem prapa te qytetari i Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.