Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKrasniqi: S’e kisha menduar kurrë që VV-ja për të cilën e kisha dhënë jetën krijon këso politikash
Florin Krasniqi nga Partia Socialdemokrate ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj qeverisëse, duke thënë se ato kanë ndikuar në dobësimin e klasës së mesme në Kosovë.
Ai ka deklaruar se, megjithëse ishte njëri ndër themeluesit e VV-së, nuk e kishte menduar se subjekti do të ndiqte politika të tilla.
“Unë jam njëri prej themeluesve të VV-së, nuk jam pishman pse kam ndihmuar të themelohet VV-ja. E kam ditë që nuk do të jetë e përkryer por kurrë ama kurrë nuk do të kisha menduar se VV-ja për të cilën unë e kisha dhënë jetën krijon këso politikash”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, një qeveri funksionale duhet të ketë politika që e forcojnë klasën e mesme, pasi tha se ajo është baza që e mban shtetin dhe shoqërinë.
“Një politikë e mirëfilltë e një qeverie të mirëfilltë i bënë të gjitha masat, paramasat, vendimet legale, parlamentin, ligjet, për ta forcuar klasën e mesme, shtetin, shoqërinë e mban klasa e mesme, nuk e mbajnë as kapitalistët. Klasa e mesme në Kosovë është në zhdukje duke e falënderuar VV-në”, është shprehur ai.
Krasniqi ka akuzuar VV-në se politikat e saj kanë ndikuar në përqendrimin e kapitalit dhe në rritjen e shtresës së varfër të popullsisë.
“Këta krejt politikat i kanë orientuar me vetëdije... regjimet diktatoriale e bëjnë këtë punë, e koncentrojnë kapitalin... krejt politikat që i ka bë VV-ja, ka shkuar drejt kësaj ndarjeje. Këta e kanë rritë masën e ulët të popullsisë që t'ua blenë votat më lirë, sivjet po i blejnë nga 100, pas 4 vjetësh i blejnë 20 se varfërohen njerëzit”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka kritikuar tutje qeverisjen e Vetëvendosjes për punësime familjare.
“Ne thoshim nepotizmi, por PDK-ja s’kish qenë asgjë çka kishin qenë këta. PDK-ja që e shajshim natë e ditë, kish qenë lule, po LDK-në me e qitë në ballë, po këta nepotizmin unë nuk kam pa kësi nepotizmi. Krejt aktivistët që kanë mbetë në VV në Pejë kanë pozita të larta”, ka thënë ai.
Halilaj i AAK-së: Shifrat e VV-së për ekonominë shpërfaqin dështim
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Durim Halilaj, ka thënë se shifrat e Qeverisë Kurti tregojnë për dështimin në fushën e ekonomisë.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë investim strategjik dhe nuk ka ardhur asnjë kompani e madhe për të investuar miliona.
“Krejt numrat që dëgjuam po shpërfaqin dështim. Politikë që nuk ishte e orientuar në tregun. Buxhet i shpërndarë në mënyrë joracionale. Për pesë vjet nuk kemi pasur asnjë investim strategjik, asnjë kompani e madhe nuk ka ardhur me investu miliona euro për shkak të pasigurisë. Një qeveri që tregon se në vazhdimësi prodhon kriza, po ashtu kemi telashe me ligjin për investime strategjike”, ka thënë Halilaj.
Ai ka thënë se 90 për qind e parasë së Kosovës del në vendet e rajonit apo në botë, ndërsa prodhimi është ndalur.
Rrahmani nga lista e PDK-së: VV-ja ka vendosur masa që shantazhojnë
Kandidati për deputet nga radhët e listës së Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka thënë se masat që ka vendosur Qeveria Kurti për ekonominë, janë masa kryesisht që “i shantazhojnë bizneset”.
Rrahmani në “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se veprimet e ndërmarra nga Lëvizja Vetëvendosje janë veprime që kanë ndikuar negativisht në ekonomi dhe veprime që po e rrezikojnë ekonominë, sidomos sektorin privat.
“Veprimet po e rrezikojnë ekonominë, sidomos në sektorin privat bizneset që operojnë me vështirësi, e plotë prej tyre kanë probleme serioze me vazhdimin e punës, sidomos kompanitë që janë prodhuese, për shkak të masave ndëshkuese që janë marrë ndaj tyre. Edhe në aspektin ligjor, dhe qëllimi ka qenë shantazhimin, kërcënimin e bllokimi, kryesisht i bizneseve prodhuese, veçanërisht përmes kalimit në tregun e lirë të energjisë”, tha Rrahmani.
Ai ka thënë se dihet që secili prodhues koston kryesore e ka atë të energjisë.
Ai ka përmendur një rast, ku para dy dite tha se kishte vizituar dy biznese në Kaçanik, që informuan se është dashur të largojnë nga puna rreth 250 punëtorë, për shkak të pamundësisë së vazhdimit të prodhimit shkaku i kostos së lartë të energjisë.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka marrë asnjë masë lehtësuese për ekonominë.
“Krejt çka kanë bërë janë marrë me politika e vendime populliste, të cilat janë marrë në kohë fushate”, ka thënë Rrahmani.
Gashi i VV-së: Bruto produkti vendor ka shënuar rritje 46 %
Hekuran Gashi, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se bruto produkti vendor në Kosovë është rritur për rreth 46 për qind gjatë afro 6 vjetëve sa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
Po ashtu Gashi në “Zgjedhjet në KOHË” tha se papunësua ka rënë nga 22.85 për qind në 10.8 për qind.
“Ne arritëm të bëjmë rritje prej 6.77 miliardë euro, rritje ekonomike të bruto produktit vendor. Nga 7.05 miliardë euro që e gjetëm në vitin 2019, e rritëm deri në 10.3 miliardë e pastaj në 11 miliardë në vitin 2025. Kjo nënkupton rritje prej 46 për qind krahasuar me para se ta merrnim pushtetin. Është indikatori kryesor i rritjes ekonomike. Sa i përket punësimit, e gjetëm me rreth 350 mijë të punësuar dhe shifrat e vitit 2025 janë diku rreth 430 mijë të punësuar. Papunësia është ulur nga 22.85 për qind në 10.8 për qind”, tha Gashi.
Ndër projektet, për të cilën thotë se ka pasur direkt ndikim në ekonomi, është “Superpuna”.
“Rreth 20 mijë të rinj u punësuan dhe u subvencionuan nga shteti me rrogë për 3 muaj. Ku 49 për qind e tyre e vazhduan punën”, tha Gashi.