Numërimi i votave të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor i është afruar fundit. Deri tash janë numëruar 96.60 për qind e votave apo 2760 nga 2857 kuti votimi në total.
Tash kur po numërohen edhe votat e diasporës, Lëvizjes Vetëvendosje i janë shtuar gjithsej pesë mandate duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Në këtë fazë të numërimit, partia ka fituar mbi 47.08 për qind të votave të procesuara. Të martën VV-ja ka fituar ulësen e pestë falë votave nga diaspora. Fillimisht, nga votat e numëruara brenda Kosovës, partia kishte siguruar 48 mandate parlamentare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPartia Demokratike e Kosovës ka 22 ulëse dhe renditet e dyta me 19.49 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 18 ulëse dhe rënditet e treta me 16.74 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rënditet e katërta me shtatë ulëse në Kuvend dhe me 6.73 për qind të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora. Deri tani janë përpunuar të dhënat e afërsisht 11 mijë votave.
Për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten së paku 61 vota në Kuvend. Në mandatin e kaluar, Vetëvendosje arriti ta formojë qeverinë me mbështetjen e deputetëve nga komunitetet joshumicë.
Ndërkohë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit, një çështje që ishte ndër arsyet kryesore që çoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në zgjedhjet e fundit votuan rreth 725 mijë qytetarë brenda Kosovës, ndërsa mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit e ushtruan të drejtën e votës përmes përfaqësive diplomatike ose me postë.