Kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, ka premtuar se nëse u kthehet përgjegjësive qeverisëse në nivel lokal, do t’i kthejë në funksion teatrin “Istref Begolli” dhe kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Gjatë një tubimi me qytetarët e Pejës, të dielën, Berisha ka theksuar rëndësinë jetike që ka kultura në jetën qytetare dhe në formësimin e shëndoshë të brezave të rinj. Ai ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë në të cilën, sipas tij, ndodhen dy nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit - teatri dhe kinemaja.
“Ku është kultura sot, ku është teatri ‘Istref Begolli’? Në një kohë edhe 6 premiera në një ditë u shfaqeshin e sot ku është – i mbyllur. S’di sa herë rinovohet, disa herë tenderohet, prapë kurrkah. Nuk guxojmë ashtu. Ku e kemi kinoteatrin? Ku i kemi të rinjtë që kanë nevojë për kinoteatër? Shumë normal që të rriturit kanë nevojë me këqyrë shfaqje, me këqyrë filma. Ma mirë është me qenë teatër e kinoteatër se sa diku tjetër, po çka me ba kur nuk funksionon. Kush e menaxhon sot këtë teatër? A din kush me tregu kush e menaxhon e çka ndodh aty? Realitete të hidhura por të vërteta, këto duhen me ndërrua. Duhet me ndërru edhe teatri edhe kinoteatri, duhet t’u kthehen qytetarëve, duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, duhet të jenë në shërbim të kulturës”, ka thënë Berisha.
Berisha ishte kryetar i Pejës, para se udhëheqjen e qytetit ta merrte Gazmend Muhaxheri 12 vjet më parë.
Në Rahovec kryetari aktual që synon edhe një mandat tjetër, Smajl Latifi, është zotuar se prioritet kryesor i tij është sistemi shëndetësor. Për këtë ka premtuar investime në këtë sektor.
“Shëndetësia është një prioritet i madh në komunën tonë, prandaj kemi planifikuar investime të shumta që shërbimet shëndetësore t’u përgjigjen maksimalisht nevojave të qytetarëve. Që nga modernizimi i shërbimeve stomatologjike, shërbime të diagnostikës, trajnimi i stafit mjekësor deri te zgjerimi shtëpiak, janë vetëm disa prej masave konkrete e serioze që do t’i ndërmarrim. Do ta pajisim çdo qendër të mjekësisë familjare me aparate EHO, do të krijojmë databazë për ruajtjen e analizave, do ta digjitalizojmë menaxhimin e radhës dhe do t’i digjitalizojmë autoambulancat. Përmes digjitalizimit do ta rrisim edhe inkasimin e rrjeteve financiare”, ka thënë Latifi.
Premtime në fushën e shëndetësisë ka dhënë edhe kandidati i Aleancës për Istogun, Ukë Blakaj. Ai ka theksuar domosdoshmërinë e ngritjes së kapaciteteve shëndetësore, duke premtuar se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë nëpër komuna të tjera për trajtime elementare.
“Stafi të jetë i kompletuar që të mos dërgohen pacientët tanë prej Istogu në Pejë për çdo gjë. Do të kujdesemi që të trajtohen si duhet aty, e jo ‘nuk kemi mundësi, shko në Pejë, shko në Prishtinë’, sepse mundësitë i dimë që mundemi me i ba edhe me i pasë”, ka thënë Blakaj.
E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi në Podujevë të dielën, e ka cilësuar kandidatin e partisë për kryetar të komunës, Baki Feta, si një figurë të respektuar, me histori të dëshmuar në shërbim të vendit.
“Baki Feta është luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, afarist dhe biznesmen i suksesshëm. Ai njihet si njeri i fjalës dhe i ndershëm, gjithmonë i përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë. Me punën dhe qëndrueshmërinë e tij, përfaqëson më së miri vlerat e llapjanëve. Më 12 tetor, llapjanët kanë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në udhëheqje”, ka thënë Haradinaj.
E në Mitrovicë, kandidati i AAK-së për kryetar, Qazim Namani, ka vizituar banorët e lagjes Bair, ku i ka dhënë përkrahje kandidatit për asamble Liridon Hasani, duke e cilësuar si një zë të fuqishëm të qytetarëve në vendimmarrje.
Në Suharekë kryetari aktual, Bali Muharremaj, që synon edhe një mandat me logon e AAK-së, të dielën ka përkujtuar dëshmorët: Xhemshir Xhemshiri, Murat Kokollari, Hafir Elshani, Burim Elshani dhe Zymer Buzhala, duke i quajtur udhërrëfyes për lirinë e vendit.
