Zgjedhjet lokale

Abdixhiku në Pejë: Fitore qysh në raund të parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synojnë fitore në zgjedhjet lokale në Pejë qysh në raund të parë.

Në tubimin në Karagaçi të Pejës, ai e ka quajtur Gazmend Muhaxherin “kryetar kampion”. Pejën e ka cilësuar bastion të LDK-së.

“Nuk ka sallë tjetër në Kosovë që jep dridhje si kjo sallë. Nuk ka vend tjetër në Kosovë që e përshkruan më mirë besimin, qëndrueshmërinë dhe forcën e një populli si kjo sallë. Këtu, gjithherë forca e qytetarëve është kthyer në fitore, këtu çdo brohoritje është kushtrim për Kosovën. Prandaj edhe sot, nga Karagaçi e nga Peja, kushtrojmë fort, kushtrojmë qartë, kushtrojmë zëshëm: Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë! Peja është qyteti që kurrë nuk është dorëzuar. Është qyteti që kurrë nuk është lëkundur. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, Peja ka qenë gjithmonë me Rugovën, Peja ka qenë gjithmonë me demokracinë, me lirinë, me shtetin. Dhe kështu do të jetë edhe sot, edhe nesër, edhe gjithmonë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Duke e quajtur Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale dhe simbol të përkushtimit e rezultateve konkrete

Ai ka thënë se LDK-ja garon me një ekip profesionistësh që ofrojnë qeverisje të ndershme dhe vizion të qartë.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 15-të e fushatës