Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim zgjedhor në Kodrën e Trimave në Prishtinë dhe ka prezantuar kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar atë si zgjedhje të duhur për kryeqytetin.
Abdixhiku tha se Kodra e Trimave ka qenë përkrahëse ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Është një emocion i madh të jem sonte këtu, në Degën e Parë të kryeqytetit tonë. Këtu ku historia e Lidhjes Demokratike është shkruar thellë, ku besnikëria ndaj vlerave tona është e pathyeshme, ku qytetarët kanë treguar gjithmonë se qëndrojnë në krah të drejtësisë, të lirisë dhe të Kosovës evropiane. Këtu tek Kodra e Trimave – tek lagjja ikonike e Prishtinës, bastioni i pathyeshëm i LDK-së, simbol i qëndresës, i besnikërisë dhe i guximit – LDK është në shtëpi të veten. Në çdo fushatë, në çdo zgjedhje, në çdo betejë politike, Kodra e Trimave ka qenë krah nesh dhe sot, si gjithmonë, është këtu për të dëshmuar se Lidhja Demokratike është forca kryesore e këtij qyteti!”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.
Abdixhiku foli edhe për projektet që Përparim Rama i ka realizuar gjatë mandatit të tij derisa theksoi se krenaria më e madhe mbetet mësimi tërëditor.
“Katër vjet më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Katër vjet më parë, ne sollëm Përparim Ramën – një njeri të dijes, të arkitekturës, të urbanizmit modern, me përvojë ndërkombëtare dhe me ide që shohin përpara. Ai nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, ai erdhi nga bota e punës konkrete. Ai nuk erdhi për pushtet, por për qytetin. Ai nuk erdhi për retorikë, por për vizion. Dhe katër vite më pas, kryeqyteti është dëshmia më e qartë e suksesit të këtij vizioni. Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve, është mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e Prishtinës, fëmijët tanë kalojnë ditën e tyre në shkolla moderne, me kushte të denja, me ushqim të sigurt, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin për jetën”, theksoi ai.
Abdixhiku riktheksoi në këtë tubim se Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën.
“Këto projekte nuk kthehen prapa. Sepse Prishtina ka nevojë për vazhdimësi. Ka nevojë për një dorë që punon dhe nuk ndalet. Ka nevojë për një kryetar që nuk dorëzohet para sabotimeve. Ka nevojë për Përparim Ramën. Dhe Përparim Rama nuk është vetëm. Ai krah vete ka listën më të mirë elektorale që Prishtina ka sot. Më 12 tetor, qytetarët e Prishtinës do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në njërën anë është stagnimi, propaganda dhe kaosi. Në anën tjetër është puna, vizioni dhe zhvillimi. Në njërën anë janë ata që flasin shumë e nuk bëjnë asgjë. Në anën tjetër jemi ne që punojmë dhe ndërtojmë. Në njërën anë janë ata që e shohin qytetin si plaçkë. Në anën tjetër jemi ne që e shohim si amanet”, ka theksuar ai.
