Uji i pijshëm, parkingjet nëntokësore, agroturizmi dhe mbështetja për bizneset kanë qenë disa nga premtimet e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarë komunash, në ditën e 26-të të fushatës zgjedhore. E disa prej tyre, krahas premtimeve, kanë shprehur edhe bindjen e plotë që pas 12 tetorit do të udhëheqin me komunat, në të cilat garojnë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka premtuar zgjidhje përfundimtare për problemin e ujit të pijshëm në këtë komunë.
Ai ka thënë se investimi për sigurimin e pandërprerë të ujit do të kushtojë 20 milionë euro teksa është zotuar se gjatë qeverisjes së tij të gjitha fshatrat e komunës do të kenë ujë të pastër e të kontrolluar.
“Jo me improvizime, por investime konkrete, 20 milionë euro për 4 vjet në furnizim pa ndërprerje çdo ditë, gjithë ditën. Do të rinovojmë rrjetin e ujësjellësit në të gjitha lagjet problematike Ortakoll, Jeta e Re, Arbana, Kurillë dhe Hoqë e madhe, Bazhdarhane. Duke siguruar furnizim të qëndrueshëm gjatë gjithë verës”, është shprehur Abrashi.
E në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku ka thënë se turizmi do të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të kryeqytetit. Ai ka thënë se plani i tij përfshin investime në 10 atraksionet kryesore të qytetit, hapjen e Qendrës për Vizitorë dhe mbështetje për festivalet kulturore. Çeku ka premtuar edhe zhvillim të agroturizmit.
“Do të rinovojmë infrastrukturën rurale, rrugë, ujësjellës, ndriçim dhe kanalizim që çdo fshat të bëhet i qasshëm dhe i jetueshëm. Do të mbështesim familjet bujqësore që duan të hapin ferma vizitash bujtina e restorante tradicionale. Komuna do të ofrojë grante dhe lehtësira për investime në agroturizëm si dhe trajnime për marketing rural dhe shërbime mikpritjeje”, është shprehur Çeku.
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur i bindur se do ta fitojnë garën komunale, madje edhe pa balotazh.
“Nëse edhe deri sonte ka pasur dikush dilema për fitoren tonë historike në Gjilan pa balotazh, sonte do duhej me i ndalë ato dilema. Veç me një lagje të qytetit tonë ne bëjmë më shumë njerëz sesa ata që sjellin prej të gjitha anëve”, ka thënë Hyseni.
Bindje të njëjtë ka shprehur edhe kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.
“Të gjithë ju mërgatë që po vini këto ditë në Mitrovicë, u jam falënderues e mirënjohës sa nuk thuhet me fjalë. Ndërsa për shokët e klasës një mesazh të përzemërt, ju përshëndetë kryetari i klasës e nga 12 tetori kryetari i Komunës”, ka deklaruar Peci nëpërmjet një videoadresimi.
E kryetari i Shtimes, i cili është kandidat edhe për një mandat, Qemajl Aliu, ka shpalosur planet për katërvjeçarin e qeverisjes së ardhshme.
“Për transformimin e plotë të Shtimes, në mandatin e dytë, pikërisht këtu ku po rrënohet ky objekt do të ndërtohet sheshi dhe parkingu nëntokësor, ndërkohë pedonalja në mes, këtë shesh do ta lidhë me sheshin ‘Ahmet Shtimja’”, është zotuar Aliu.
Në Podujevë, kandidati Shpejtim Bulliqi e ka promovuar punën e tij si kryetar komune gjatë mandatit katërvjeçar.
“I kemi gjetur bursat e studentëve me 50 mijë euro, po e mbyllim mandatin tonë me gjysmë milioni euro subvencionim, bursa për nxënës dhe studentë. E kemi gjetur buxhetin e arsimit për shërbime e mallra me 116 mijë euro, po e mbyllim këtë mandat me 1.6 milionë euro buxhet”, ka thënë Bulliqi.
Kandidati për Vitinë, Arsim Ademi, i ka prezantuar planet e tij për bujqësinë me subvencione për fermerët.
“Subvencionim dhe mbështetje për fermerët, investime në sektorin agro-përpunues, blegtori, sistemin e ujitjes pikë-pikë dhe agroturizëm. Zhvillim të pemishteve, serrave dhe sistemeve të ujitjes. Menaxhim i pyjeve dhe kursim i energjisë”, janë masat e parapara të Ademit për bujqësinë në Viti.
Kandidati i LVV-së që synon të bëhet kryetar i Pejës, Taulant Kelmendi, dhe ai për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka, kanë premtuar të enjten mbështetje për bizneset e vogla dhe ato të mesme.
Ndërkaq kandidati për kryetar të Skenderajt, Hysni Mehani, është zotuar për kujdes të veçantë për pensionistët, si dhe për sigurim të transportit publik nëpër fshatra. Fushatë gjatë së enjtes kanë bërë edhe kandidatët për kryetarë në komunat e tjera.
