Njohësi i çështjeve politike, Artan Alijaj, ka vlerësuar se bashkëpunimet politike që janë parë në nivel qendror tashmë janë reflektuar edhe në zgjedhjet lokale, veçanërisht në Prishtinë.
Në edicionin special të KTV-së për balotazhin në 18 komunat, Alijaj ka thënë se në kryeqytet tashmë “është punë e kryer” që ekziston një koalicion i heshtur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Këto koalicione tashmë janë materializuar edhe në nivelin lokal, mendoj se edhe në Prishtinë veçmë është punë e kryer që kemi një koalicion mes LDK-së, PDK-së e AAK-së. Mendoj se qysh në rundin e parë AAK-ja ia ka dhënë argatin LDK-së, pasi që ishin votat e AAK-së që ia mundësuan pjesëmarrjen në balotazh z.Rama, ndërsa po shihet që ka arritur PDK-ja të bindë votuesin e vet që të votojë për z.Rama dhe si rezultat, duke iu falënderuar ndoshta votës së PDK-së, z.Rama do të jetë kryetar edhe për katër vjet”, ka thënë ai.
Sipas tij, po të mos ekzistonte bllokada në nivel qendror, PDK-ja dhe kandidati i saj, Uran Ismaili, do të kishin mundësinë të konsideronin një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ky është rezultat i kësaj bllokade që e kemi në nivel qendror, po të mos ishte kjo bllokadë, PDK-ja dhe Uran Ismaili do ta konsideronin ndoshta një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.