Zgjedhjet lokale

Aliu premton 10 milionë për arsim në Ferizaj. Totaj premton ujë të pijshëm në Prizren

agim aliu

10 milionë euro investime në arsim i ka premtuar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, në ditën e dhjetë të fushatës elektorale, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Aliu synon mandatin e tretë me radhë në krye të Ferizajt, si kandidat i Partisë Demokratike. Në një video që ka shpërndarë në Facebook, ai ka thënë se do të pajisen 672 klasa me tabela digjitale, katër objekteve shkollore do t’u rikonstruktohen hapësirat në formë kampusi. Ai në vizionin e tij për arsim, ka premtuar ndërtim shkollash, çerdhesh, një Qendër Burimore për fëmijë me aftësi të kufizuara e bursa të veçanta për studentët e drejtimeve deficitare.

E kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, njëherësh kandidat për një mandat të dytë ka thënë se do angazhohet në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për prizrenasit. E ka promovuar një investim në qendër të qytetit për reagim ndaj emergjencave.

Ndërsa Uran Ismaili që synon postin e kryetarit të Prishtinës ka shpërndarë një video të gazetës javore të përgatitur nga PDK-ja, ku ndan vizionin dhe planin e tij për kryeqytetin.

“Do të lansojmë bibliotekën digjitale unike për të gjitha shkollat, të lidhur me fondin librar të bibliotekës së qytetit me qasje në literaturë, libra dhe materiale të tjera mësimore, kudo dhe në çdo pajisje. 2000 euro bursë komunale për studentët e drejtimeve shkencore universitare deficitare”, ka thënë Aliu.

 “Ka projekte që për nga natyra janë të tilla që nuk shihen me sy. Për herë të parë në Shadërvan kemi vendosur hidrantë të cilat mund të na shërbejnë në raste të fatkeqësive. Po ashtu kemi punuar me përkushtim për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijes. Në mandatin e ardhshëm do të përkushtohemi që akoma më tepër të kontribuojmë për përmirësim të furnizimit me ujë të pijes”, ka premtuar Totaj.