Zgjedhjet lokale

Aliu premton stadium e palestër të re në Ferizaj

Agim Aliu

Edhe kandidatët e PDK-së për kryetar komunash kanë vazhduar t’i prezantojnë programet për fusha specifike. Në Ferizaj, Agim Aliu ka shpalosur planin për kulturën, rininë dhe sportin, duke paralajmëruar ndërtimin e një stadiumi modern dhe një pale¬stre të re me standarde ndërkombëtare. Në kryeqytet, Uran Ismaili e ka përqendruar fushatën tek kritikat për qeverisjen aktuale dhe zotimet për zgjidhjen e problemeve të trafikut, ndërsa në Fushë Kosovë, Rrahim Tërnava ka premtuar mbështetje më të madhe për bujqësinë

Ndërtim të stadiumit të ri, të palestrës së re sportive, krijim të ligave shkollore dhe premtime të tjera ka bërë kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili e synon mandatin e ri si kandidat i Partisë Demokratike (PDK).

Gjatë prezantimit të planit të tij në sektorin e kulturës, rinisë dhe sportit, ai ka premtuar investime në Parkun Memorial të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK) në fshatin Jezerc.

“Afër 20 milionë euro për Stadiumin e Ri të Qytetit ‘Ismet Shabani’, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit arenë moderne për futbollin e Ferizajt. Do të ndërtojmë palestrën e re moderne dhe me parking nëntokësor, e konceptuar si një arenë për sport elitar, aktivitete rinore, koncerte dhe ngjarje komunitare. Do të rinovojmë palestrën e sporteve ‘Bill Clinton’, ndriçim i ri, ngrohje e ventilim, instalime elektrike, zhveshtore moderne dhe ulëse të reja”, është zotuar Aliu.

Në Prishtinë, kandidati i PDK-së për kryetar komune, Uran Ismaili, ka kritikuar pushtetin aktual. Ai ka thënë se problemet që i ka identifikuar gjatë fushatës së vitit 2021 vetëm sa janë përkeqësuar brenda katër vjetësh.

“Janë bërë problemet më të mëdha, njerëzit janë më të zhgënjyer, më të dëshpëruar. Vota e tyre nuk po u kthen asgjë. Po votojnë, asgjë s’po marrin, po votojnë - kurrfarë investimi, po votojnë – kurrfarë përfitimi”, ka theksuar Ismaili.

Ai të premten ka bërë premtime në sektorin e komunikacionit.

“Në takim me përfaqësues të shoqatës së taksistëve të Prishtinës u zotova për rregullimin e vend parkingjeve për taksi në qytet, ndalimin e taksive ilegale dhe nga qytetet e tjera, dhe zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajsh me 60 semaforë shtesë, dhe qendër moderne për menaxhimin e trafikut”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Rrahim Ternava, i ka vazhduar premtimet për bujqësinë.

“Subvencionime për qumësht për 10 cent për litër, grante prej 10 mijë eurosh për investime bujqësore në të gjitha sektorët, mbështetje për ndërtimin dhe zhvillimin e serave mbi 10 ari, krijimi i pesë pikave përpunuese për produktet bujqësore, ndërtimin e një zinxhiri të qëndrueshëm kultivim-përpunim-treg”, ka deklaruar Tërnava.

E kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që e synon edhe një mandat, ka njoftuar për ndarjen e pajisjeve bujqësore për 62 fermerë.

“Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vazhdon mbështetjen për fermerët në kuadër të projektit ‘Furnizimi me mekanizëm bujqësor – me bashkëfinancim’. Sot, u zhvillua e faza e dytë e ndarjes së mjeteve bujqësore për 62 fermerë përfitues, nga gjithsej 333 që përfitojnë nga ky projekt, derisa në fazën e parë janë shpërndarë 155 mjete bujqësore. Fermerët përfituan motokultivatorë, pjatore me disqe, trina, mbjellëse misri dhe gruri, pllugje dhe atomizerë”, ka njoftuar Totaj.

Tetë premtime për bujq, blegtorë e bletarë pati edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që e synon edhe një mandat.

“Nga 0.5 cent në 0.8 cent për litër qumështi; Nga 5 euro në 8 euro për koshere të bletëve; Nga 5 euro në 8 euro për kokë dele dhe dhi; 50% vazhdon sistemi i ujitjes së tokave bujqësore; Subvencionimi i bimëve aromatike; Subvencionimi i plehrave; Subvencionimi i serave 0.5 dhe 1 ari; Makineri bujqësore”, ka thënë ai.

E në Lipjan, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kapërcimi nga një qytet mes Prishtinës dhe Ferizajt drejt një qendre të rëndësishme urbane do të ndodhë vetëm me udhëheqjen e PDK-së dhe me kandidatin e saj për kryetar, Shukri Buja.

“Unë besoj fuqishëm se koha është që Lipjani ta krijoi e konsolidoi identitetin e vet urban, si një qendër e rëndësishme që i kontribuon të gjitha qendrave, e të mos jetë një stacion në mes të Prishtinës e Ferizajt, por që të jetë qytet i rëndësishëm për krejt Kosovën”, është shprehur Krasniqi.

Gjatë së premtes, aktivitetin elektoral e kanë zhvilluar edhe kandidatë të tjerë të PDK-së. Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, që e pretendon dhe një mandat në këtë post, gjatë një tubimi elektoral ka theksuar se PDK-ja është subjekti i vetëm me qasje progresive për të ardhmen e komunës.

Lexo përditësimet tjera
Vota

Dita e 21-të e fushatës

Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës për ditën e premte:1. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim...