Zgjedhjet lokale

Baraliu për gabimet teknike në fletëvotime: Papërgjegjësi dhe dështim i KQZ-së

Mazllum Baraliu

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, i ka quajtur dështime të KQZ-së, gabimet teknike që u gjetën në fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut e Gjakovë.

Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Baraliu poashtu e quajti të drejtë formimin e komisiont të veçantë i nga KQZ-ja që do të merret me vlerësimin e fletëvotimeve në të cilat u hasën dallime në numrat serikë të tyre.

“Patjetër që është papërgjegjësi dhe dështim i KQZ-së. Sigurisht që duhet të shkojnë të gjithë anëtarët e KQZ-së atje. Kanë qenë atje dhe nuk e kanë bërë punën e tyre. Tjetër punë nuk kanë përveç se ta monitorojnë procesin e shtypjes së fletëvotimeve. Nuk e kanë bërë. Tash komisionin e bëjnë post-testum pak a shumë, po sidoqoftë kanë të drejtë dhe do të ishte mësim. Nuk është i vetmi gabim, ka edhe gabime të tjera që janë bërë nga ana e KQZ-së. Kemi edhe ndërrim të adresave, jo vetëm brenda qytetit por edhe nga qyteti në qytet”, deklaroi Baraliu.

Sipas tij për shkak të gabimeve të KQZ-së, shumë qytetarë ndjehen të zhgënjyer dhe po heqin dorë nga votimi.

Baraliu tutje tha se gabim i KQZ-së është edhe mospastrimi i listave të votuesve për të cilin ka katër vite kohë ta bëjë.

“Njerëz pastaj nga lista nuk janë pastruar, ka njerëz që janë në botën tjetër, figurojnë aty, pastaj kjo i jep një mundësi tjetër që të abuzohet me votë. Pra i jep mundësi dikujt që të votoj në vend të atij personi që nuk jeton më. Të gjitha këto janë elemente në të cilat KQZ-ja është dashur për katër vite të punoj”, deklaroi Baraliu.

Gjatë verifikimit të votave për kryetar të komunës në Mitrovicë, janë evidentuar fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendvotimet përkatëse, si dhe fletëvotime pa numër serik.

Pas kësaj Prokuroria pati urdhëruar që procesi i verifikimit të  votave në këtë komunë të ndërpritet, për të lejuar pastaj rifillimin e tij, pas sqarimeve që thuhet se kanë marrë nga KQZ-ja dhe kompania që ka shtypur fletëvotimet. 

Sipas KQZ-së gabime në numrat serikë të fletëvotimeve nuk janë bërë vetëm në komunën e Mitrovicës së Jugut e të Gjakovës por edhe në ato që janë shpërndarë nëpër komuna të tjera.

Baraliu ka komentuar edhe dorëheqjen e Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të PDK-së. Vendimin e Krasniqit për dorëheqje, Baraliu e quajti lëvizje pozitive.

Memli Krasniqi, dha dorëheqje nga pozita e kryetarit, pesë muaj pasi e mori konfirmimin për mandatin e dytë në krye të Partisë Demokratike. Ai tha se këtë po e bën si hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në.