Bashkimi i Evropian përmes prononcimit të një zëdhënësi, ka mirëpritur zhvillimin paqësore dhe konkurrues të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe ka shprehur pritjet që edhe rundi i dytë me 9 nëntor të zhvillohet në të njëjtën mënyrë.
Këtë reagim për Kohën e ka bërë zëdhënësi i BE-së lidhur me zgjedhjet lokale, rundi i parë i së cilave u zhvillua të dielën në Kosovë.
“Të dielën populli i Kosovës ushtroi të drejtën demokratike duke votuar në rundin e parë të zgjedhjeve lokale. Ne mirëpresim zhvillimin paqësor, konkurrues dhe inkluziv të këtij raundi me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, si edhe mbulimin e lirë, të drejtë dhe inkluziv nga ana e mediave që ka kontribuar të ketë një proces transparent zgjedhor”, ka thënë ky burim.
“Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në rundin e parë ne bëjmë thirrje për një certifikim dhe implementim të shpejtë të rezultateve të këtyre zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal” thuhet në këtë reagim të BE-së. “Për ato komuna ku do të zhvillohet balotazhi për kryetar ne bëjmë thirrje që të ketë proces të njëjtë paqësor, konkurrues dhe inkluziv edhe më 9 nëntor”, thuhet në fund të reagimit nga Bashkimi Evropian.
BE-ja ka dërguar në Kosovë, me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, edhe një mision monitorues të këtyre zgjedhjeve lokale.