Zgjedhjet lokale

Cakolli: Teatër politik në KQZ, vendimi do të rrëzohet nga PZAP-ja

cakolli

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe do të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e refuzoi certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pas kundërshtimeve nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që publikuan dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë. Pro certifikimit votuan dy anëtarë të KQZ-së, dy të VV-së ishin kundër, ndërsa shtatë nga partitë tjera abstenuan.

E sipas Cakollit, vendimi i KQZ-së, do të rrëzohet nga instanca më të larta. Ai ka thënë se KQZ-ja me këtë vendim ka tejkaluar kompetencat.

“KQZ-ja, edhe një herë tjetër, në ndjekje të diskurseve partiake, e ktheu administrimin e zgjedhjeve në teatër politik. Vendimi i sotëm për të mos certifikuar Listën Serbe nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, i cili do të rrëzohet nga PZAP-ja. Me këtë hap, KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushë që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë. Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit. Përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale. Edhe sikur një vendim i tillë të merrej, ai do të ishte i kontestueshëm”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se kthimi i KQZ-së në fushëbetejë politike i bën dëm Kosovës.

Lexo përditësimet tjera
Mbledhja e KQZ-së - 4 gusht

KQZ-ja e refuzon certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të...