Zgjedhjet lokale

Cana premton kooperativë bujqësore në Rahovec, Tahiri brendin “Made in Mitrovica”

Arian Tahiri

Kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që njëherësh është kandidat i Partisë Demokratike (PDK) edhe për një mandat, i ka pëlqyer pritja me tupanë e surle që ia kanë bërë të martën banorët e Dumnicës. Ai para tyre ka thënë se gjatë mandatit që shkoi asnjëherë nuk i ka pyetur qytetarët se në cilën parti janë. E në Dumnicë, ka thënë se, i ka zgjidhur disa probleme. 

“Edhe kur s’kam mundur t’ju kryej punë më keni respektuar. Por kur kam kryer pak punë, e keni vlerësuar shumë. Pas mandatit tim, kushdo që kandidon, me këto audienca, ballë për ballë me juve më nuk do të bisedohet as ujësjellësi, as kanalizimi, as ndriçimi publik”, ka thënë Idrizi. 

E Rahovecin, kandidati i PDK-së për kryetar, Edon Cana, e ka quajtur kryeqytet të bujqësisë. Ai ka thënë se ka një plan që e zgjidhë problemin e mungesës së punëtorëve bujqësorë, si pasojë e migrimit. 

“Duam t’ua prezantojmë një pilot-projekt kooperativave. Ajo është vullnetare, kush do të marrë pjesë, e ka drejtorin i menaxhon krejt, i ka punëtorët e vet, bëhet vlerësimi sa ke tokë, sa janë shpenzime. Nëse ke llogari, bëhesh anëtar. S’ke nevojë ta japësh vreshtin me qira, e punon kooperativa, e plason në treg rrushin, e negocion çmimin shumë më të mirë edhe ti e din që vitin e ardhshëm e din që i ke aq tonë të shitura”, ka deklaruar Cana.

E në jug të vendit, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që garon për një mandat të dytë, ka njoftuar për fillimin e punimeve për renovimin e rrugës që lidh fshatrat Reçan, Lubinjë e Epërme dhe Lubinjë e Poshtme.

“Me gjatësi prej 8.000 metrash, i cili projekt po realizohet në bashkëfinancim mes Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në fillim të rrugës, nga ana e Reçanit, do të ndërtohet edhe ura e re, investim ky që do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone të Zhupës, duke mundësuar qasje më të mirë ndaj shërbimeve, arsimit dhe tregut si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal”, ka njoftuar Totaj.

Ai të martën ka bërë edhe një përurim në fshatin Mazrek.

“Përuruam sot shkollën e re “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në fshatin Mazrek - investim i rëndësishëm në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe zhvillimin e arsimit në këtë zonë të Hasit. Kjo shkollë moderne përfshin 13 klasa mësimi, 2 klasa për fëmijët parashkollorë, 2 laboratorë të pajisur, bibliotekë dhe ambiente të dedikuara për stafin shkollor”, ka thënë ai.

Arian Tahiri, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut që është në garën për t’u bërë kryetar, e ka prezantuar një pjesë të planit të tij për ekonomi. 

“Një program të veçantë do të kemi edhe për mërgatën ‘Diaspora për Mitrovicën’ do ta quajmë, e cila do të jetë platformë konkrete e bashkëpunimit me mërgatën për të investuar në projekte konkrete zhvillimore. Do ta ndërtojmë edhe tregun modern për prodhimet vendore dhe do t’i modernizojmë regjet ekzistuese. Do të krijojmë bendin lokal ‘Made in Mitrovica’ dhe do t’i lidhim prodhuesit tanë me tregjet jashtë komunës përmes panaireve dhe ekspozitave”, ka thënë ai.

Uran Ismaili, kandidat për kryetar të Prishtinës, në takim me prind e ka prezantuar planin e tij për rritjen e sigurisë në shkolla e në qytet. 

“200 oficerë të sigurisë nëpër shkolla për parandalimin e sulmeve dhe ngacmimeve dhe trajtimi i 5.000 qenve endacakë përmes strehimores së re të madhe për regjistrimin, vaksinimin dhe sterilizimin e qenve. Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë primar në Prishtinën funksionale”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Tubimin qendror PDK-ja e ka mbajtur në Gjakovë. Aty kryetari i partisë, Memli Krasniqi, u kërkoi të pranishmëve votë për kandidatin, Ervin Shabani.

E në Viti kandidati Bekim Azizi ka dhënë zotimin për furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe investime në infrastrukturë lokale, përfshirë asfaltimin e rrugëve, ndriçimin publik dhe parkun e ri të qytetit. Ai ka premtuar 200 euro për çdo fëmijë të lindur, rritje të subvencioneve për bujqit, për studentët dhe sportin, si dhe mbështetje për biznseset startup të të rinjve e grave.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 25-të e fushatës