Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 17-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Agjendja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!:
16:00 – Vizitë te biznesi “Arta tex”. (Suharekë)
14:00 – Takim me mësimdhënës, studentë dhe te rinj. (Vushtrri)
10:00 – Vizitë në Frigo Al Socks. (Prizren)
18:00 – Tubim me gra dhe vajza, shkolla e muzikës. (Gjilan)
19:00 – Tubim në Llapashticë. (Podujevë)
19:00 – Tubim me gra dhe vajza në fshatin Babimoc. (Kastriot)
Agjenda e Partisë Demokratike të Kosovës:
1. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Skenderajt. E pranishme do të jetë edhe sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Vendi: Restaurant “Atlantiku”
Koha: 13:00
2. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Prishtinës.
Vendi: Shkolla Fillore “Elena Gjika”
Koha: 19:00
Agjenda e LDK-së:
E hënë, 29 shtator 2025
18:00, Dragash (Vendi: Hotel Meka)
E martë, 30 shtator 2025
19:00, Prishtinë Dega IV (Vendi: Salla e Kuqe/Pallati i Rinisë)
Ismaili: Pas 12 tetorit s’ka më ndarje selektive ndaj lagjeve të Prishtinës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka deklaruar se pas 12 tetorit nuk do të ketë më ndarje selektive ndaj lagjeve të kryeqytetit.
Derisa ka shpërndarë numrin e gjashtë të gazetës javore “Koha për Prishtinën” në lagjen Qafa, Ismaili theksoi se ky lokacion është përzgjedhur me qëllim, pasi sipas tij, pikërisht këtu shihet ndarja mendore e pushtetit lokal ndaj lagjeve.
“Një qasje që përfundon te fontana dhe nuk shkon më tej, duke lënë jashtë vëmendjes dhjetëra lagje e fshatra të Prishtinës”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar pushtetin për pakujdesi me dekada, ku disa lagjeve iu mungon edhe infrastruktura bazë.
“Pas 12 tetorit, ajo çka mund të them është që kjo qasje selektive ndaj lagjeve do të përfundojë. Ideja se logot partiake apo ndasitë partiake në Prishtinë duhet të jenë ato që shkaktojnë këtë ndarje selektive dhe mungesë investimesh do të marrë fund. Do të kemi një qasje gjithëpërfshirëse për të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës”, ka thënë Ismaili.
Tahiri: Do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, është zotuar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa dallim.
Sipas një njoftimi të PDK-së ai të dielën në një tubim të mbajtur në Shipol të Mitrovicës ka thënë se do t’i përfaqësojnë dhe do t’i mbrojmë interesat e secilit qytetar.
“Mbështetjen dhe besimin që po na japin qytetarët e Mitrovicës, e marr dhe e ndjej si investim ndaj një gjenerate të re që janë duke e krijuar dhe forcuar. Kjo për ne është nder dhe privilegj, por është edhe përgjegjësi e madhe që këtë besim dhe investim ta mbrojmë, ta mbajmë dhe ta kthejmë me punë, me përkushtim, me respekt”, citohet të ketë thënë Tahiri.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Tahiri, do ta vazhdojë rrugën e Bedri Hamzës, i cili sipas tij, “për dekada ishte shembull i profesionistit të palodhur, mikut besnik dhe shërbyesit publik të pakrahasueshëm”.
Sipas njoftimit Krasniqi është shprehur i bindur se Tahiri do t’i fitojë zgjedhjet e 12 tetorit.
“Bedriu është njeri i vlerave dhe është i pakompromis në standarde dhe nivel, andaj nuk është aspak çudi që ai e ka mbështetur e bashkë me juve e ka zgjedhur Arian Tahirin si pasardhësin e tij. Në këto katër vite, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, Mirovica tregoi se si mund të ecet përpara me një qeverisje kompetente, të ndershme e me duar të pastra. Tani është koha që këtë rrugëtim ta vazhdojmë e ta qojmë edhe më lart dhe personi që e garanton këtë është nënkryetari i Bedriut, kryetari i ardhshëm i Mitrovicës, Arian Tahiri. Andaj, më 12 tetor, PDK, 191, Arian Tahiri. Sepse do të jetë edhe ma mirë për Mitrovicën”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Ndërsa Hamza, kryetar aktual i Mitrovicës, ka kërkuar që mitrovicasit ta votojnë në mënyrë masive Tahirin.
“Flisni me miq, me shokë, me të gjithë që i njihni, mobilizohuni që në mënyrë solemne, në mënyrë masive, në mënyrë festive më 12 tetor, me dalë, me votu dhe me vulosë fitoren e PDK-së”, citohet Hamza në njoftimin e PDK-së.
Çeku viziton Kalabrinë: Dora e Komunës duhet të takojë atë të banorit në secilin cep të qytetit
Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka vizituar lagjen “Kalabria” në Prishtinë.
Çeku ka thënë se kjo lagje po përjeton një nga zhvillimet më të shpejta urbane në Prishtinë, por dështon të ofrojë kushtet bazike jetese për banorët.
“Përroi ku rrjedhë kanalizimi, kolektori i papërfunduar, rruga A e cila është larg përfundimit, deponia ilegale e mbeturinave dhe ato të shpërndara gjithandej në lagje, mbesin probleme elementare që pamundësojnë një jetë normale në këtë lagje. Zgjidhjet janë të qarta, por mungon përkushtimi për punë. Dora e Komunës duhet të takojë atë të banorit në secilin cep të qytetit, ashtu që problemet të sanohen e jeta të lehtësohet”, ka shkruar Çeku në Facebook.
E në një postim tjetër në Facebook, Çeku ka akuzuar kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, që është kandidat nga radhët e LDK-së, se po i ikë debatit.
“Kryetari Rama po i ikë debatit. Nuk po pranon as ballafaqim vetëm me mua, as bashkë me kandidatët e tjerë. Pas ftesës nga Jeta Xharra për debat sot mes kandidatëve dhe konfirmimit nga të gjithë, kuptuam që Kryetari Rama i ka ndërruar fjalët. Në mungesë të tij, debati i sotëm nuk po mbahet. Kjo është hera e dytë, pasi njëjtë kishte vepruar edhe për ftesën nga Kanal 10. Kjo ikje nga përgjegjësia publike duhet të marrë ndëshkimin e merituar nga qytetarët e Prishtinës”, ka shkruar Çeku.