Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 29-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Agjenda e Lëvizjes Vetëvendosje:
14:30 – Tubim në Podujevë. (Sheshi “Katër Dëshmorët”)
16:40 – Tubim në Mitrovicë. (Palestra Minatori)
18:00 – Tubim në Prishtinë. (Sheshi “Skënderbeu”)
Agjenda e AAK-së:
17:45 - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përmbyllë fushatën zgjedhore me tubimin qendror në Gjakovë. (Parku i Madh i Qytetit)
Rama: Do të vazhdojmë ta ndërtojmë kryeqytetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar projektet e realizuara në rrugën “Nekibe Kelmendi” dhe Prishtina e Re.
Rama, i cili është në garë për një mandat të dytë, ka theksuar se në rrugën “Nekibe Kelmendi” është bërë punë fantastike, përderisa po ndërtohet edhe shkolla e re.
“Jemi këtu në rrugën Nekibe Kelmendi ku kemi bërë një punë fantastike, po ashtu e kemi kryer atje poshtë Rrugën A, këtu afër e kemi edhe shkollën e re që është duke u ndërtu, derisa QMF veç është e kryer dhe në funksion, duke kryer shërbime të mëdha prë qytetarët tanë në mënyrën më të mirë të mundur”, tha Rama në një video në rrjete sociale.
Ai më pas vazhdoi me planet për Prishtinën e Re.
“Këtu jam në Prishtinën e Re, paramendo e kemi projektin e Spitalit të Kryeqytetit të përfunduar, kemi punuar 2 vjet në të, por për shkak që është në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkundër faktit që kemi shku në Katar, edhe kemi siguruar fondet prej 75 milionëve, ministri e ka blloku këtë projekt, nuk na e ka dhanë projektin, tash nuk kemi fillu pikërisht për këtë bllokadë, por ne do të vazhdojmë në katër vitet e ardhshme ta ndërtojmë kryeqytetin”, tha Rama më tutje.
Për Prishtinën e Re, Rama bëri të ditur se shkolla po ndërtohet, qendra për punë sociale është afër përfundimit, përderisa edhe pritet të bëhen edhe fusha të reja sportive.
“Në Prishtinën e Re jemi duke përfunduar projekte të mëdha, sikur shkolla atje, Qendra për Punë Sociale që po zhvillohet me intensitet të lartë dhe brenda gjashtë muajve do të kryhet, po ashtu kemi kanalizimin e Hajvalisë në përfundim e sipër, e mbi të unaza e kryeqytetit. I shihni ato pjesë që kemi ndarë parcelën për fusha të reja sportive, të cilat janë të ndërlidhura me pjesën tjetër që iu kemi dhanë FFK-së ku zhvillohen ndeshja të shumta, në Hajvali kemi ndërtu stadiumin e ri për Prishtinën e Re. Tash transporti i ri është në të gjitha lagjet, e posaçërisht edhe këtu në Hajvali”, tha Rama.
Ismaili: Është koha për ndryshim
Kandidati për Prishtinën nga PDK, Uran Ismaili, ka përcjellë një letër për qytetarët një ditë para zgjedhjeve.
Në letrën e tij, Ismaili falënderon qytetarët për përkrahjen dhe energjinë gjatë gjithë fushatës, duke kujtuar takimet në çdo lagje e fshat të kryeqytetit. Ai thekson se pavarësisht përvojave të ndryshme të njerëzve, të gjithë ndajnë të njëjtin shqetësim për gjendjen në Prishtinë dhe të njëjtën dëshirë për ndryshim.
“Ndryshimi është në dorën tonë,” shkruan ai, duke theksuar se bashkëpunimi dhe puna e përditshme janë mënyra e vetme për ta bërë Prishtinën funksionale, të pastër dhe të sigurt për të gjithë.
