Zgjedhjet lokale

Fillon numërimi i votave me kusht dhe rinumërimi i disa vendvotimeve

kqz

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur numërimin e votave me kusht si dhe rinumërim i disa vendvotimeve.

Sipas KQZ-së vendvotimet që do të rinumërohen u takojnë tri komunave.  

“Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ-ja ka njoftuar se në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. “Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

KQZ-ja ka njoftuar se të hënën rreth mesnatës ka përfunduar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

“Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas KQZ-së është duke vazhduar edhe skanimi i listës së votuesve.

“Në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve. Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, thuhet në njoftim.