Zgjedhjet lokale

Fillon punën komisioni i KQZ-së për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë e Gjakovë

kqz

E ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ-ja për vlerësimin e fletëvotimeve me gabime teknike në Mitrovicë të Jugut e Gjakovë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se ky komisioni planifikohet ta përgatisë një raport dhe ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor.

“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision, të përgatisë një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor. Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, ka deklaruar Elezi.

Tutje zëdhënësi i KQZ-së poashtu tha se “puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një ankesë të parashtruar në këtë instiucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut”.

KQZ-ja të mërkurën formoi një komision të veçantë, i cili do të merret me vlerësimin e fletëvotimeve në të cilat u hasën dallime në numrat serikë të tyre. Për gabimet në to një raport tjetër është dorëzuar edhe nga kompania. 

Në Mitrovicë ku u ngritën dyshime për rregullsinë e procesit, ka përfunduar verifikimi i votave të balotazhit - Faton Peci i LVV-së ka marrë 17,834 vota apo 3 vota më pak se në rezultatet preliminare, kurse Arian Tahiri i PDK-së 15,541 vota apo 19 vota më pak

Gabimet në numrat serikë të fletëvotimeve nuk janë bërë vetëm në komunën e Mitrovicës së Jugut e të Gjakovës por edhe në ato që janë shpërndarë nëpër komuna të tjera.

Gjithashtu, KQZ-ja të enjten ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar edhe procesi i vlerësimit dhe verifikimit të pakova të supozuara me fletëvotime të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës, për procesin e balotazhit.

“Të enjten, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, janë tërhequr më shumë se 13,084 pako të tilla”, thuhet tutje në njoftim.