Lista Serbe është gjobitur me 800 euro për vendosjen e posterëve nga objektet banesore kolektive në rrugën “Princi Millosh” në Mitrovicë të Veriut, pa lejen e pronarëve.
Sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ankesa është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ky veprim i Listës Serbe ka rënë ndesh me nenin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thekson se “Veprimet e ndaluara të Subjekteve Politike...Vendosja e njoftimeve, pllakateve dhe posterëve, ose përndryshe vendosja e emrave të tyre ose sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike ose godinave në apo mbi rrugët publike, në shenjat publike të trafikut brenda ose jashtë hapësirave ose ndërtesave të zëna ose ndryshe që shfrytëzohen nga organizatat ndërkombëtare ose brenda ose ne hapësirat private pa lejen e pronareve ose shfrytëzuesve”.
PZAP-ja po ashtu ka urdhëruar Listën Serbe që t’i largojë posterët duke thënë se nëse nuk i bindet urdhrit mund të sanksionohet me dënime shtesë.
Ndaj vendimit nuk lejohet ankesë.
PZAP-ja të mërkurën ka publikuar edhe vendime të tjera, pas ankesave të partive ndaj fushatës së Listës Serbe, duke i cilësuar të pasafatshme ankesat e Za Slobodu Pravdu i Opstanak.