Zgjedhjet lokale

Haliti premton blerjen e 24 autobusëve për transportin publik në Ferizaj

Enver Haliti

Kandidati i LVV-së për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka shpalosur programin e tij për të cilin ka thënë se përputhet 100% me kërkesat e qytetarëve të kësaj komune.

“Ferizaj i jetueshëm, Ferizaj që zhvillohet”, janë dy shtyllat kryesore të programit, ka thënë Haliti.

Fokus të veçantë i ka dhënë edhe transportit publik në këtë qytet, ku ka premtuar blerjen e disa autobusëve të rinj.

“Kemi paraparë rikthimin e stacionit të vjetër që do të shërbejë për linjat e fshatrave ndërsa stacioni i ri që është ndërtuar në periferi të Ferizajt, do të shërbeje për linjat ndërurbane dhe ndërkombëtare. Në programin tonë kemi edhe themelimin e ndërmarrjes publike të transportit publik, do t’i blejmë 24 autobusë të rinj, do të lidhim dy stacionet, stacionin e ri me stacionin e vjetër dhe gjithashtu edhe zonën urbane me fshatrat përreth”, ka thënë Haliti.

Haliti ka akuzuar kryetarin aktual të Ferizajt, Agim Aliu, se ka demoluar stacionin e vjetër të autobusëve me të kuptuar programin e  tij për transportin, por Haliti ka thënë se kjo gjë nuk do t’i ndal.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Ferizaj”,  kandidati i LVV-së ka premtuar edhe zgjidhje të problemit me ujë të pijshëm si dhe krijimin e ngrohtores së qytetit.

Zgjedhjet lokale mbahen me 12 tetor.

Lexo përditësimet tjera
Ferizaj

Debati për Ferizajn