Zgjedhjet lokale

Haliti premton ngrohtore qendrore në Ferizaj, Bulliqi subvencione për blegtorë në Podujevë

enver haliti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në Ferizaj, Enver Haliti, ka premtuar ndërtimin e një ngrohtoreje qendrore me impiant solar prej 50 megavatësh, e cila do të sigurojë ngrohje për rreth 10 mijë familje. Në Gjilan, kandidati për kryetar komune, Alban Hyseni, ka prezantuar programin katërvjeçar me fokus në arsim, në përmirësimin e shëndetësisë, në ndërtimin e banesave sociale dhe në shërbime për pensionistët. Ndërkohë, kandidatë të tjerë të LVV-së për kryetarë të komunave kanë dhënë zotime të ndryshme për subvencionim të blegtorëve e investime infrastrukturore nëpër lagje dhe fshatra

Ngrohtore qendrore ka premtuar të mërkurën në Ferizaj kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të komune, Enver Haliti. 

Ai ka thënë se në rast se e siguron mandatin qeverisës pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ngrohtorja do të ndërtohet afër Kazermës së Ferizajt dhe se ajo do të jetë me impiantin e kombinuar solar, të fuqisë 50 megavate. 

Haliti është zotuar se funksionalizimi i kësaj ngrohtoreje do t’u mundësojë qytetarëve që të kenë kosto të përballueshme për ngrohje, se do ta shkarkojë rrjetin e energjisë elektrike dhe do t’i kursejë malet nga prerja.

“Ngjashëm si te projekti Solar 4 Kosovo i ‘Termokosit’, edhe ngrohtorja jonë do ta konservojë energjinë e akumuluar solare në rezervuarin special nëntokësor të ujit, nga i cili do të ngrohemi gjatë tërë sezonit të dimrit. Në fazën e parë të projektit, planifikohen ndërtimi i impiantit dhe shtrirja e sistemit të tubacionit që do të mbulojë qendrën e qytetit, lagjet ‘Driton Islami’, ‘Vëllezërit Gërvalla’ dhe ‘Rexhep Bislimi’ bashkë me rrugicat e ndërlidhura, apo kyçje për 10 mijë familje”, ka premtuar Haliti.

Në Gjilan, kryetari aktual i komunës dhe kandidati i LVV-së për edhe një mandat, Alban Hyseni, ka shpalosur të mërkurën programin për katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes lokale. Në fushën e arsimit, Hyseni është zotuar të ndërtojë katër çerdheve të reja në fshatra dhe në lagje të Gjilanit. Krahas kësaj, ka premtuar nisjen e mësimit gjithëditor nëpër shkolla të komunës, si dhe shujta për fëmijë. Në këtë synim, ai është zotuar që ta  krijojë ndërmarrjen publike komunale “Kuzhina Qendrore”, nëpërmjet së cilës ka thënë se do të sigurohen shujta për nxënës dhe shërbime për palët e treta për të krijuar fitim. 

Në rrafshin e shëndetësisë, ai është zotuar që ta ndërtojnë objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen “Fidanishte”, si dhe ambulancën e re të mjekësisë familjare në Uglar. Në fushën e shërbimeve sociale për qytetarët e Gjilanit, Hyseni ka thënë se në plan e ka ndërtimin e njësive të reja të banimit të përballueshëm social, si dhe ndërtimin e dy qendrave – njërën për qëndrim ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe tjetrën për pensionistët. Për pensionistët ai ka premtuar të sigurojë edhe barna falas.

E në Podujevë kryetari aktual, Shpejtim Bulliqi, i cili e synon edhe një mandat në këtë detyrë, ka premtuar mbështetje për blegtorë nëpërmjet subvencionimit të rregullt për litër qumështi.
“Nga 1 janari do të keni subvencion të rregullt të litrit të qumështit, sa të prodhoni aq do të përfitoni. Tash, përveç subvencionit që e merrni në nivelin qendror do të keni një pjesë të subvencionimit edhe në nivelin lokal”, ka premtuar Bulliqi.

Në Pejë, kandidati i LVV-së për kryetar komune, Taulant Kelmendi, ka thënë se prioritet i qeverisjes së tij lokale do të jetë investimi për mbajtjen e rinisë brenda Pejës dhe Kosovës. 

E nga një vizitë në Matiçan, kandidati i LVV-së për kryetar komune në Prishtinë, Hajrulla Çeku, ka kritikuar kryetarin aktual dhe kundërkandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Përparim Rama, se e ka lënë këtë lagje të Prishtinës pa furnizim me ujë, me kanalizime jofunksionale, me rrugë të paasfaltuara dhe me ndriçim publik të munguar. Ai ka thënë se me qeverisjen e tij, investimet nuk do të mungojnë në asnjë lagje të Prishtinës. 

“Platforma jonë sjell zgjidhje. Çdo lagje do të ketë investime, parkun, këndin për fëmijë, hapësirat sportive e komunitare, shërbimet bazike aty ku jetojnë qytetarët. Prishtinës i duhet një qeverisje që e përfshin qytetarin në hartim e zbatim të zgjidhjeve dhe i sjell shërbimet në çdo lagje”, është zotuar Çeku.

E kandidati për kryetar komune në Mitrovicë, Faton Peci, gjatë vizitës që të mërkurën e pati në Vinarc dhe në Luginë të Ibrit, u ka premtuar banorëve rrugë të reja, ujë të pijshëm e ujitje për bujqësinë, si dhe mirëmbajtje të liqenit.

Lexo përditësimet tjera
Fushata zgjedhore

Dita e 19-të e fushatës