Fushatën e balotazhit e kanë përmbyllur edhe kandidatë të LDK-së. Kryetarët aktualë të komunave që e synojnë edhe një mandat i kanë prezantuar investimet e realizuara dhe e ata që për herë të parë garojnë për t’i marrë drejtimet e qeverisjeve lokale kanë premtuar projekte në arsim dhe për rininë
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Dragashit për kryetarin aktual dhe kandidatin e partisë së tij për edhe një mandat në krye të kësaj komune, Bexhet Xheladini.
Në ditën e fundit të fushatës për balotazhin e së dielës, ai i numëroi investimet që i ka realizuar LDK-ja në komunë, me Xheladinin kryetar.
“Për LDK, si Prishtina, si Dragashi kanë rëndësi të veçantë, prandaj jam me plot ndër dhe kënaqësi këtu bashkë me tre deputet të Republikës së Kosovës, në këtë qytet të bekuar, me njerëz të bekuar, mikpritës, punëtorë e mbi të gjitha me një kryetar të jashtëzakonshëm, Bexhet Xheladini”, ka thënë Abdixhiku.
E në Viti, kryetari aktual që e synon edhe një mandat, Sokol Haliti, premtoi punësim për mjekë ndërsa ka bërë zotim se do të angazhohet që rinia të mos largohet nga vendi.
Në Prishtinë, kryetari aktual, Përparim Rama, që në balotazh garon kundër kandidatit të Vetëvendosjes, i ka prezantuar projektet e realizuara në kryeqytet dhe ka premtuar investime të reja në rrugët B dhe C.
“Kemi ndriçimin e modernizuar me LED, drita të cilat janë të mençme e tash po vazhdojmë me projekte tjera madhore si me vazhdimin e rrugës A deri në Zllatar, me ndërtimin e çerdhes të re, me krijimin e hapësirave tjera të gjelbra. Po ashtu, edhe me vazhdimin e ndërlidhjes të rrugës B me zonat përreth Muharrem Fejzës”, ka thënë Rama.
Kandidati për edhe një mandat në krye të Obiliqit, Xhafer Gashi, ka folur për investimet në arsim, e për të cilën fushë premtoi projekte të reja.
“Jemi në oborrin e shkollës fillore ‘Naim Frashëri’ këtu në Breznicë. Këtu po e shihni shkollën dhe fushën sportive. Prioritet i jonë do të jetë edhe salla e Edukatës Fizike në fshatin Breznicë. Janë të ndërtuara deri më tani 6 salla të edukatës fizike, 22 fusha sportive dhe palestrat sportive të cilat janë në shërbim të nxënësve dhe aktiviteteve tjera sportive”, ka deklaruar Gashi.
Lidhja Demokratike ka shkuar në balotazh në 9 komuna, përfshirë në Gjilan me Lëvizjen Vetëvendosje, në Pejë po ashtu me LVV-në dhe në Junik me AAK-në.