Kryetari aktual i Klinës dhe kandidat edhe për një mandat, të tretin me radhë, i ka quajtur probleme të paqena ato që kundërshtarët e tij i kanë nxjerr në pah.
Zenun Elezaj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Klinën”, ka thënë se nuk qëndron problemi me administratën dhe se për çështjen e ujit të pijshëm është bërë shumë në katër vitet e fundit.
“Administrata e Klinës është shpallur administrata më transparente për dëgjimet buxhetore, 100 për qind poenë kemi marrë. Jemi të shpërblyer për performancë. Administrata është e shpërblyer për vite me radhë, e në kohën e z. Bashota nuk është shpërblyer fare”, është përgjigjur Elezaj në akuzën e Bashotës së PDK-së.
Ka folur edhe për trajtimin e ujërave të zeza dhe ujin e pijshëm.
“Ne kemi ndërtuar tre impiante të trajtimit të ujërave të zeza të kapaciteteve të vogla, me bashkëfinancim por edhe me forca vetanake. Kështu që Klina kurrë më mirë nuk ka qenë. Pastaj, banorët e Klinës në katër vitet e fundit kanë qenë të furnizuar gati non-stop me ujë, por uji nuk është i pijshëm, sepse uji merret direkt nga puset. Për këtë problem është themeluar komision ndërministror nga Kurti dhe në raportin e atij komisioni janë nxjerr disa rekomandime. I pari është që të shkohet me fundërrimin e ujit”, ka thënë Elezaj.
Ky proces sipas tij, ka nisur ditëve të fundit, por IKSHPK-ja ende nuk ka dhënë lejen se mund të përdoret për pije, pasi është në proces të analizimit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
