Limanaj i LDK-së akuzon Elezajn se për efekt elektoral po e keqpërdorin paranë publike

1 o. më parë / 22 sht 2025 21:56
Arben Limanaj

Arben Limanaj është kandidat i LDK-së për kryetar të Klinës. Edhe ai, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Klinën”, theksin e ka vënë te mungesa e ujit të pijshëm.

“Banorët në Klinë sot nuk kanë ujë, për këtë mendoj se nuk mund t'i ikë përgjegjësisë pushteti aktual edhe pas investimeve milionëshe”, ka thënë ai.

Si shqetësim tjetër ka ngritur promovimin e projekteve komunale në ditët kur ka nisur fushata.

“Lëshohet uji, asfaltohen disa rrugica. Kjo të lë për të kuptuar se ka një keqpërdorim të parasë publike nga pushteti aktual”, ka thënë Limanaj.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

“Klina kurrë ma mirë s’ka qenë”, kryetari Elezaj lavdërohet për punët e bëra

1 o. më parë / 22 sht 2025 21:50
Zenun Elezaj

Kryetari aktual i Klinës dhe kandidat edhe për një mandat, të tretin me radhë, i ka quajtur probleme të paqena ato që kundërshtarët e tij i kanë nxjerr në pah.

Zenun Elezaj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Klinën”, ka thënë se nuk qëndron problemi me administratën dhe se për çështjen e ujit të pijshëm është bërë shumë në katër vitet e fundit.

“Administrata e Klinës është shpallur administrata më transparente për dëgjimet buxhetore, 100 për qind poenë kemi marrë. Jemi të shpërblyer për performancë. Administrata është e shpërblyer për vite me radhë, e në kohën e z. Bashota nuk është shpërblyer fare”, është përgjigjur Elezaj në akuzën e Bashotës së PDK-së.

Ka folur edhe për trajtimin e ujërave të zeza dhe ujin e pijshëm.

“Ne kemi ndërtuar tre impiante të trajtimit të ujërave të zeza të kapaciteteve të vogla, me bashkëfinancim por edhe me forca vetanake. Kështu që Klina kurrë më mirë nuk ka qenë. Pastaj, banorët e Klinës në katër vitet e fundit kanë qenë të furnizuar gati non-stop me ujë, por uji nuk është i pijshëm, sepse uji merret direkt nga puset. Për këtë problem është themeluar komision ndërministror nga Kurti dhe në raportin e atij komisioni janë nxjerr disa rekomandime. I pari është që të shkohet me fundërrimin e ujit”, ka thënë Elezaj.

Ky proces sipas tij, ka nisur ditëve të fundit, por IKSHPK-ja ende nuk ka dhënë lejen se mund të përdoret për pije, pasi është në proces të analizimit.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

“Banorët e Klinës po enden poshtë e përpjetë për të siguruar ujë”, Rrustaj i VV-së kritikon udhëheqjen aktuale

1 o. më parë / 22 sht 2025 21:46
Ramiz Rrustaj

E kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Klinës, Ramiz Rrustaj, ka vënë theksin te problemi me ujin e pijshëm në këtë komunë.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Klinën”, ka thënë se Klina është një komunë me pesë lumenj, por ende nuk e ka të zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm.

“Ujë ka, por uji nuk pihet”, ka thënë ai.

Rrustaj ka kritikuar qeverisjen aktuale në Zenun Elezajn e AAK-së në krye se nuk ka shfrytëzuar si duhet investimin e nivelit qendror.

“E dimë që kohët e fundit që qeveria qendrore me z. Kurti në krye, ka ndarë përafërsisht 850 mijë euro për blerjen e disa filterave për filtrimin e ujit, por prapë kryetari aktual duhet të na thotë pse nuk janë në funksion, ose nëse kanë hyrë në funksion, pse nuk pihet uji”, ka deklaruar Rrustaj.

Sipas tij, rreth 10 mijë banorët qytetit të Klinës, enden poshtë e lartë për të siguruar ujë.

“Nëse i viziton të shtunën a të dielën, të gjithë i sheh duke shkuar me vetura të marrin ujë. Dikush në Istog, dikush në Gllogjan, pra duke u endur poshtë e përpjetë për të siguruar ujë për pije. Ky është një problem që unë së bashku me Lëvizjen do ta zgjidhim”, ka thënë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.

“Punëtorët e administratës së Klinës në rënie të lirë”, Bashota i PDK-së me akuza për kryetarin Elezaj

2 o. më parë / 22 sht 2025 21:42
Sokol Bashota

Ish-kryetari i Klinës, tash kandidat i PDK-së për të marrë sërish këtë post, Sokol Bashota, ka kritikuar udhëheqjen komunale që drejtohet nga Zenun Elezaj dhe AAK-ja.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Klinën”, ka thënë se administrata e komunës është “në rënie të lirë” dhe se shërbimet komunale sipas tij, kryhen në bufe e kafene.

“Problemet në Klinë me ardhjen e z. Elezaj veç sa janë shtuar. Impianti që sapo foli është premtuar mandatin e kaluar. Kanë mundur ta realizojnë edhe përkundër faktit se ka një kosto buxhetore. Janë tetë vite të mandatit qeverisës”, ka thënë ai. “Ajo çka na shqetëson, është degradimi i administratës komunale që është bërë për këto tetë vite. Qytetarët më shumë i kryejnë shërbimet nëpër bufe e nëpër kafene, për arsye se punëtorët e administratës janë siç thuhet në rënie të lirë, nuk respektohet orari zyrtar”, ka thënë Bashota.

Ai ka kritikuar komunën dhe qeverisjen lokale edhe për punësime nepotiste.

“Të gjitha këto e humbin besimin e qytetarëve tek institucioni”, ka thënë Bashota.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.