Burim Krasniqi, kandidat i LDK-së për kryetar të Rahovecit, ka thënë se Rahoveci nuk ka një projekt të detajuar për ujërat e zeza.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka thënë se pa një projekt, nuk mund të flitet as për koston.
“Nuk mund të themi se kushton 40 mijë-50 mijë për diçka që nuk e kemi projektuar hiç”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar udhëheqjen komunale se nuk ka zgjidhur problemin me ujërat e zeza.
“Nuk është çështja e impiantëve e shekullit që po e jetojmë, është çështje e lokacionit, pasi nuk mund të lidhen me kolektorët kryesorë. Në vendet ku mundet, nuk përdoren, përpos kolektorit që lidhet me Malësinë e Vogël dhe që fatkeqësisht derdhet në një prone private e jo në Dri. Kolektorë tjetër nuk ka. Nuk ka kolektorë për fshatrat prej Drenovcit, pastaj Sinovci, Pastaselë, Nushpalë që i lidh dy Potaçanët e Sopniq. Ka qenë në zhvillim e sipër, por është stopuar kolektori që shkon përmes lumit Rimnik, që vjen prej Rahovecit e derdhet në Xërxë. Nuk ka kolektorë kryesor prej Hoçës së Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagavc, Krushë e Madhe. Janë krejt kanalizime që derdhen në përroskë, nuk ka zgjidhje. Kanalizimet e Opterushës derdhën në përroskë. Retija e Ulët e ka një impiant të ndërtuar prej KFOR-it turk, por që nuk po mirëmbahet gati kurrë. Malësia e Vogël e ka një impiant që kurrë nuk është mirëmbajtur. Pra janë investime të palogjikshme”, ka thënë Krasniqi
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
