Zgjedhjet lokale

Krasniqi: Tahiri, i vetëm përballë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë e dinjitoze

Memli Krasniqi - Arian Tahiri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij është konfirmuar si më e votuara në Kosovë në zgjedhjet lokale. 

PDK-ja në zgjedhjet lokale i ka fituar gjashtë komuna. 

“Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë. Me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend. Dhe me gjashtë komuna të fituara, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet. Në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qendror, ne i fituam tri prej tyre. Po, disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka falënderuar edhe Arian Tahirin, që ishte kandidat i PDK-së për Mitrovicën e Jugut. Tahiri në balotazh u mposht nga Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun tim, yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund. Mirënjohje edhe për çdo aktivist, mbështetës, vullnetar dhe asamblist, për kontributin dhe energjinë e tyre. Një falënderim i veçantë i shkon të gjithë qytetarëve të Kosovës, anembanë vendit, të cilët me pjesëmarrjen dhe kulturën e tyre demokratike, e bënë këto zgjedhje një shembull për rajonin dhe më gjerë. Partia Demokratike e Kosovës sot qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur për sfidat që na presin”, tha Krasniqi. 

Ai ka thënë se ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri. 

“Në ditët në vijim, do të përqendrohemi në forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, në përmirësimin e qeverisjes lokale dhe në konsolidimin e strukturave tona anembanë vendit. Sepse ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri, kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme. PDK nuk ndalet. Sepse PDK është e qytetarëve. PDK është e Kosovës. Dhe me PDK-në, ditët më të mira janë përpara vendit tonë!” – ka shkruar Krasniqi.