Zgjedhjet lokale

Kurti i bindur se Vetëvendosje e fiton Gjilanin pa balotazh

LVV - Gjilan

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, që kandidon edhe për një mandat, kanë zhvilluar të martën takim me gratë e kësaj komune dhe kanë premtuar fuqizim të rolit të gruas. 

Kurti ka thënë se angazhimi i gruas në politikë ka qenë progres për shoqërinë dhe ekonominë gjatë qeverisjes qendrore e lokale të LVV-së, angazhim që ai ua ka kërkuar pjesëmarrësve edhe më tej. 
Kurti ka lëvduar punën e kryetarit Hyseni duke përmendur shtimin e disa shërbimeve shëndetësore e subvencionimin e qirasë për nënat vetushqyese. Ai ka thënë se për t’i vazhduar këto vlera Gjilani duhet t’ia besojë Hysenit edhe një mandat. Kurti është shprehur i bindur se gratë dhe rinia do të jenë vendimtare që, sipas tij, kandidati i LVV-së ta fitojë Gjilanin pa balotazh. 

“Gratë, rinia kanë qenë vendimtarë bashkë me diasporën kur ka fituar Alban Hyseni në balotazh para 4 vjetëve. E gratë, rinia dhe diaspora do të jenë vendimtarë që kësaj radhe Alban Hyseni të fitojë pa balotazh dhe të vazhdojmë me projekte të reja e të mira për fuqizimin e gruas, për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka deklaruar Kurti.

E Hyseni, teksa ka kërkuar mbështetje, është shprehur se plani i Vetëvendosjes për qeverisjen e Gjilanit nuk ka synim projekte katërvjeçare, por projekte afatgjate që nuk kufizohen në kohë. Hyseni ka theksuar se nga to do të përfitojnë jo vetëm gratë por të gjithë qytetarët. Ai ka thënë se janë tri shtylla mbi të cilat do të mbështetet programi i LVV-së për Gjilanin: qytet i zhvilluar, komunë për të gjithë dhe Gjilani i së ardhmes.

“Ne synojmë që të ndërtojmë një qytet ku edhe zhvillimi, edhe biznesi, edhe investimet e investitorët, edhe të rinjtë e të rejat, të moshuarit, të gjithë të zënë vendin e tyre meritorë dhe në këtë formë Gjilani bëhet sa më i jetueshëm që të jetë e mundshme”, ka thënë Hyseni.

Fushatë ka zhvilluar të martën edhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku. Ai ka vizituar krijueset artizanale në Prishtinë dhe u ka premtuar mbështetje përmes dy masave.

“E para është masa e mbështetjes direkte, jo për të krijuar rehati prej fondeve, por punën që e bëni ju me e dhënë edhe një shtytje, një skemë e menduar mirë e subvencionimit. E dyta, po mendojmë të punojmë shumë me turizëm, sepse kur rritet turizmi automatikisht përkthehet në më shumë të hyra prej jush dhe të vijmë në pikën që të mos kemi më shumë nevojë për subvencione, por të funksionojmë prej të ardhurave nga turizmi”, është zotuar Çeku.

Në Prizren kandidati Artan Abrashi është zotuar se pensionistëve do t’u sigurojë mbështetje për shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre. 

E në Pejë kandidati Taulant Kelmendi ka premtuar se me qeverisjen e tij do të jetësohet shtylla e tretë e programit të LVV-së “për Pejën turistike”.

“Me qeverisjen tonë të re, shtylla e tretë e programit tonë është Peja turistike në funksion të zhvillimit ekonomik. Bashkë e kthejmë këtë pasuri në zhvillim, mundësi dhe krenari për secilin qytetar”, ka thënë Kelmendi.


 

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjte 2025

Dita e katërt e fushatës