Lista Serbe ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për t’i mbajtur komunat me shumicë serbe në jug dhe për t’i rifituar komunat në veri.
Kandidati për Mitrovicë të Veriut, Milan Radojeviq, ka shpërndarë një video-spot, në të cilin ky subjekt politik u jep premtim qytetarëve në veri se do t’u hiqen shiritat objekteve ku paraprakisht është ndaluar ndërtimi.
Kjo parti e ka promovuar veten me këngën, me titull “Kjo është Serbia”.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Graçanicës, Novak Zhiviq, ka theksuar se kandidatët e Listës Serbe e kanë mbështetjen e Serbisë.
“Jam i bindur që populli serb nuk ka dilemë se kujt t’ia japë votën: Listës Serbe dhe se me kë është Serbia. Pa këtë ndihmë, të gjithë e dimë se ç’do të bëhej me ne. Për këtë shkak s’kemi të drejtë të gabojmë. Ju bëj thirrje që të dilni në zgjedhje dhe të votoni për Listën Serbe, si për kryetar ashtu edhe për asamblistë”, ka thënë Zhiviq.
